Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
26 shtator 2025
Pas një vere aktive në merkato me katër afrime që kushtuan 167.5 milionë euro dhe promovimin e Gonzalo Garcia Torres, Real Madrid duket se po përgatit lëvizjet e radhës për janarin.
Klubi synon të reduktojë numrin e lojtarëve në skuadër, ku një nga emrat kryesorë në diskutim është sulmuesi i ri brazilian, Endrick.
Sipas “Cadena Cope”, drejtuesit e Real Madrid janë takuar këtë javë në Valdebebas me agjentin e Vinicius Junior, Frederico Pena. Megjithëse pritej që fokusi të ishte rinovimi i kontratës së Viniciusit, burime pranë klubit bëjnë të ditur se tema kryesore ishte pikërisht e ardhmja e Endrick.
19-vjeçari është rikthyer së fundmi në skuadër pas një dëmtimi katërmujor, por ka pasur shumë pak minuta nën drejtimin e Carlo Ancelottit. Për këtë arsye, Real Madrid po shqyrton seriozisht huazimin e tij në janar, në mënyrë që të rifitojë formën dhe të luajë rregullisht.
Edhe gjatë verës, Endrick ishte në qendër të disa interesimeve nga klube si Real Sociedad, AC Milan, Juventus dhe së fundmi Valencia. Por vetë lojtari refuzoi çdo ofertë, duke këmbëngulur se dëshiron të luftojë për vendin e tij te “Los Blancos”.
Megjithatë, nëse situata e tij nuk ndryshon deri në janar, mund të rishqyrtohet qëndrimi i tij. Kujtojmë se një vit më parë, Endrick ishte në orbitën e kombëtares braziliane të Dorival Junior dhe tani synon të rikthehet në skenë për Kupën e Botës 2026.
Ndërkohë, Carlo Ancelotti u shpreh së fundmi për mediat braziliane se zgjedhjet e tij do të bazohen vetëm në paraqitjet në fushë – një koment që shumë e interpretuan si mesazh për lojtarët si Endrick dhe Rodrygo.

















