Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
20 prilll 2025
Emir Sahiti ishte protagonist i padiskutueshëm për Hamburgun të shtunën mbrëma, duke realizuar dy gola në barazimin 2:2 ndaj Schalke 04, në ndeshjen e zhvilluar në “Veltins-Arena”.
Sulmuesi nga Kosova shënoi të dy golat e skuadrës mysafire në fundin e pjesës së parë. Ai barazoi rezultatin në minutën e 41-të me një goditje të saktë për 1:1, ndërsa vetëm dy minuta më pas, në minutën e 43-të, e kaloi Hamburgun në epërsi me golin e tij të dytë, 1:2.
Pavarësisht përpjekjeve të Hamburgut për të ruajtur epërsinë, skuadra e tyre pësoi gol në minutat e fundit të takimit, duke ndarë pikët me vendasit.
Sahiti u zëvendësua në minutën e 81-të dhe me dy golat e shënuar në këtë ndeshje, ka arritur kuotën e tre golave në 18 paraqitje për Hamburgun këtë sezon.
Hamburgu aktualisht mban vendin e parë në tabelën e Bundesliga 2 me 53 pikë, dhe është në rrugë të mbarë për t’u rikthyer në elitën e futbollit gjerman – Bundesliga 1.

















