Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
08 prill 2025
Multimiliarderi Elon Musk, njeri i shout dhe këshilltar i qeverisë amerikane, sipas mediave amerikane ndodhet para largimit nga DOGE, Departamenti i Efikasitetit Qeveritar, i krijuar enkas nga Donald Trump.
Sipas mediave, duket se presidenti amerikan e ka lënë të kuptohet këtë në një mbledhje të qeverisë dhe se do të luajë “rol mbështetës”. Por Shtëpia e Bardhë e hedh poshtë këtë, nuk ka asgjë zyrtare. Vetë Elon Musk flet për “fake news.”
E sigurt është se roli i Musk ishte i kufizuar në kohë që në fillim: Si i ashtuquajturi “Punonjësi i posaçëm i qeverisë” ai lejohet të punojë për qeverinë për një maksimum prej 130 ditësh në vit pa iu nënshtruar rregullave më të rrepta etike ose detyrimeve të transparencës (p.sh. zbulimi i detajuar i pasurive dhe të ardhurave), për sa kohë që një leje përjashtimore e marrë më parë e lejon këtë. Megjithatë publikisht nuk dihet asgjë për një leje të tillë.
Kufiri kohor i parashikuar duhet të arrihet më së voni deri në fillim të qershorit. Prandaj, lamtumira e tij zyrtare me DOGE duhet të jetë vetëm çështje kohe – veçanërisht pasi, sipas sondazheve, Musk po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e padëshiruar në mesin e popullatës amerikane. Një shumicë e dukshme tani e hedh poshtë kursin e tij të reformës radikale.
Afërsi me presidentin dhe tensione në rritje
Elon Musk nuk ka qenë thjesht një këshilltar – ai pothuajse u bë njeriu në hije i presidentit. Vështirë se dikush tjetër në rrethin e Trump ishte kaq i dukshëm, kaq i pranishëm, kaq me ndikim. Qoftë në Zyrën Ovale, në vizita shtetërore apo në lojë golfi në fundjavë – Musk gjithmonë prezent. Trump madje kishte modele të reja Tesla të demonstruara në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë si një mbështetje për kompaninë me probleme.
Por në prapaskenë, pas rrahjes së supeve publikisht duket se zien. Zërat kritikë në Partinë Republikane kohët e fundit janë rritur. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ish-këshilltari, Steve Bannon e akuzojnë Musk për një stil egocentrik dhe vetëpromovim të ekzagjeruar. Eksperti Sascha Lohmann nga Fondacioni i Shkencës dhe Politikës (SWP) në Berlin nuk beson se do të ketë një përçarje midis Trump dhe Musk: “Musk herë pas here ka hasur në kundërshtim nga Trump – ai u paralajmërua të vepronte më me kujdes. Por të dy gjithmonë janë dakord për reduktimin e madhe të shtetit administrativ duke përdorur mjete radikale shumë përtej kufijve kushtetues”.
DOGE: Projekt reformues radikal
DOGE ishte përgjigja e Trump ndaj premtimit të bërë në fushatën elektorale për të “kulluar kënetën në Uashington”. Me Musk, ai fitoi një aleat, qasja prej sipërmarrësi e të cilit premtoi reforma radikale. Në një hapësirë shumë të shkurtër kohore, sipërmarrësi Musk zbatoi masa drastike: më shumë se 20,000 vende pune në agjencitë federale u shkurtuan dhe 75,000 punonjësve të tjerë iu ofruan pagesa vullnetare të largimit.