Edi Rama: SPAK ka dalë nga shinat, Veliaj nuk do të shkarkohet

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

11 shkurt 2025

Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të hënën nga SPAK me akuzat për krijimin e një skeme korruptive mes kompanive dhe OJF-ve të lidhura me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh prej më shumë se 1 milion euro.

Në një ndryshim të menjëhershëm të kursit ndaj veprimeve të organeve hetimore, Rama ka kaluar nga ‘no comment’ në akuza të drejtpërdrejta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e konsideruar arrestimin e Veliajt si antikushtetues dhe akuzat ndaj tij si ‘roman policesk’.

I pyetur nga BIRN nëse do të ndiqte standardin e vendosur më parë, duke i shkarkuar nga detyra kryebashkiakët kur janë vënë nën akuzë, kryeministri tha se Veliaj ishte ndryshe.

“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta,” tha Rama për BIRN.

Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

Më herët, kanë rënë në prangat e SPAK-ut me akuza për afera korruptive të inceneratorëve dhe koncesioneve në Shëndetësi ish-ministrat Lefter Koka dhe Ilir Beqja, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në arrati.

Për asnjërin prej tyre, kryeministri Edi Rama nuk e ka sulmuar SPAK-un, duke ndjekur linjën ‘no comment’ ndaj vendimeve të drejtësisë. Por, sipas tij, me arrestimin e Erion Veliajt “jemi në kushte tërësisht të ndryshme nga të gjitha rastet e mëparshme.”

Ai pretendon se ‘nuk ka një çështje konkrete korrupsioni’ dhe e krahason dosjen hetimore me “një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.”

“Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike,” – shton ai, edhe pse kërkon të drejtën për të marrë më shumë kohë para se të dalë në përfundime.

Scroll to Top