E sanksionuar nga SHBA-ja, kompania kineze garon për tender në ndërtimin e autostradës së Malit të Zi

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

14 nentor 2025

Në tenderin për ndërtimin e seksionit të dytë të autostradës nga Matesheva deri në Andrijevicë, në veri të Malit të Zi, janë paraqitur katër oferta: një kompani e vetme kineze dhe tre konsorciume – dy kineze dhe një turko-azerbajxhanase.

Një nga pjesëmarrësit është China Communications Construction Company (CCCC), kompani shtetërore kineze e cila gjendet në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2020, për shkak të lidhjeve me ushtrinë kineze.

Kompani të tjera kineze në garë janë konsorciumet Shandong Foreign Economic & Technical Cooperation – Shandong Luqiao Group dhe PowerChina-Stecol. Konsorciumi i katërt është turko-azerbajxhanas Cengiz–Azvirt, i cili ka prezencë në rajon për më shumë se një dekadë.

Ndërtimi i seksionit të dytë është planifikuar të nisë në fund të vitit dhe të përfundojë pas pesë vjetëve. Vlera e projektit është 600 milionë euro: 150 milionë nga fondet e pakthyeshme të Komisionit Evropian, 250 milionë nga buxheti i Malit të Zi dhe 200 milionë kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

China Communications Construction Company (CCCC) ka një histori të gjatë dhe të debatueshme ndërkombëtare. Deri në vitin 2016, kompania dhe degët e saj ishin në listën e zezë të Bankës Botërore për praktika mashtruese dhe dyshime për korrupsion në projektet e rrugëve kombëtare në Filipine. Ajo ndërtoi portin Hambantota në Sri Lanka, i cili iu dorëzua Kinës për menaxhim për 99 vjet pasi qeveria nuk mundi të shlyente kredinë.

Në Serbi, CCCC ka ndërtuar projekte të mëdha infrastrukturore, përfshirë autostradën E-763 dhe pjesën e parë të autostradës malazeze Bar–Bolare. Si pjesë e konsorciumit CRIC&CCCC, kompania mori pjesë në modernizimin e linjës hekurudhore Beograd–Suboticë, ku shembja e një çatie në stacionin e Novi Sadit më 1 nëntor 2024 shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Kompania ka marrë kontrata pa tender, përmes marrëveshjes direkte me shtetin dhe financimeve nga banka kineze Exim. Në vitin 2021, ajo angazhoi si nënkontraktor një guroren sllovake, pronarët e së cilës u vunë më pas në listën e sanksioneve të SHBA-së për lidhje me rrjete korrupsioni dhe krim të organizuar.

CCCC është kompania mëmë e China Road and Bridge Corporation (CRBC), e cila ndërtoi seksionin e parë të autostradës malazeze Bar–Bolare, 41 kilometra të gjatë, me kosto rreth 900 milionë euro.

Scroll to Top