Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 shkurt 2026
“Efekti Mbappé” po reflektohet jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në arkën financiare të Real Madridit. Ardhja e yllit francez ka sjellë në vëmendje detaje të reja mbi përmasat e marrëveshjes, përfshirë rolin dhe përfitimet e familjes së tij.
Kylian Mbappé kryeson listën e pagave te klubi madrilen me rreth 31 milionë euro bruto në vit, por vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe nëna e tij, Fayza Lamari, e cila është njëkohësisht agjentja dhe menaxherja e tij. Sipas burimeve, Lamari përfiton rreth 4.5 milionë euro neto në vit, shifër që tejkalon pagat vjetore të disa lojtarëve të ekipit të parë.
Të ardhurat e saj janë më të larta se ato të deri në shtatë futbollistëve të Real Madridit, përfshirë emra si Brahim Díaz, Arda Güler, Fran García, Andriy Lunin, si dhe disa talente të rinj të akademisë.
Roli i Fayza Lamarit ka qenë kyç në finalizimin e transferimit të Mbappé drejt “Santiago Bernabéu”, por edhe në betejën ligjore kundër Paris Saint-Germain, ku pala e futbollistit arriti të fitojë një proces që detyroi klubin francez të shlyente rreth 60 milionë euro në detyrime të papaguara.
Në të njëjtën kohë, struktura e pagave në Real Madrid po përballet me një fazë të ndjeshme, pasi lojtarë si Vinícius Jr. po ndjekin nga afër këto zhvillime gjatë negociatave për kontratat e tyre, duke e bërë “Efektin Mbappé” një faktor me ndikim të drejtpërdrejtë në hierarkinë financiare të klubit.


















