Koha e parashikuar e leximit: 1 minut
12 dhjetor 2025
Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona të shpallur në kërkim, të cilësuar si me rrezikshmëri të lartë shoqërore, gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 75”.
Të arrestuarit, A. Xh., 42 vjeç nga Fushë-Kruja, dhe E. M., 47 vjeç nga Mamurrasi, u kapën në një terren të vështirë pranë lumit në zonën e Fushë-Kuqes. Gjatë operacionit, ata u kapën të armatosur me pistoleta dhe armë gjahu. Policia sekuestroi dy pistoleta, dy armë gjahu, dy radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, të dy shtetasit ishin në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale: sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje në bashkëpunim të grupit kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
















