Dy ministra izraelitë sanksionohen nga BM, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Norvegjia, për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Gazës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 qershor 2025

Dy ministra të qeverisë izraelite, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, janë sanksionuar nga Britania e Madhe, Australia, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Norvegjia – për shkak të qëndrimit të tyre ndaj Gazës.

Ben-Gvir, ministri i Sigurisë në qeverinë e koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, dhe Smotrich, ministri i Financave, do të përballen me ndalim udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.

Ky veprim vjen ndërsa Britania e Madhe dhe vendet e tjera perëndimore kërkojnë të rrisin presionin mbi qeverinë e Izraelit mes luftës së vazhdueshme në Gazë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar tha se ishte e papranueshme që përfaqësuesit e zgjedhur dhe anëtarët e qeverisë t’i nënshtroheshin këtyre masave.

“E diskutova sot me kryeministrin Netanyahu dhe do të zhvillojmë një takim të posaçëm qeveritar në fillim të javës së ardhshme për të vendosur për përgjigjen tonë ndaj këtij vendimi të papranueshëm”, tha Saar.

Smotrich dhe Ben-Gvir i përkasin dy partive të krahut të djathtë të cilat ndihmojnë në koalicionin qeveritar të Netanyahut.

Të dy ministrat janë kritikuar për qëndrimin e tyre të ashpër ndaj luftës në Gazë.

Smotrich ka bërë fushatë kundër lejimit të ndihmës në Gazë, ndërsa Ben-Gvir ka bërë thirrje që populli i Gazës të zhvendoset nga territori.

Britania e Madhe dhe aleatët e saj kanë rritur presionin ndaj Izraelit në muajt e fundit – për shkak të mungesës së vazhdueshme të ndihmës në Gazë, si dhe sugjerimeve se mund të nisë një ofensivë të re në shkallë të gjerë në territor.

Raportet sugjerojnë se një sasi e vogël ndihmash është lejuar të hyjë në Gazë – mes një iniciative të re të mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, në vend të programit të mëparshëm të drejtuar nga OKB-ja. //a.i/

Scroll to Top