Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 nentor 2025
Një situatë e tensionuar është regjistruar në zonën e plazhit të Durrësit, ku 32 familje janë urdhëruar të lënë banesat e tyre pas më shumë se tri dekadash jetesë. Bëhet fjalë për vilat nr. 36 dhe 38, të cilat, sipas një vendimi gjyqësor, nuk janë më në pronësi të Bashkisë Durrës, por të shtetasit Mikel Noçka, që i ka privatizuar në vitin 2012.
Të mërkurën në mëngjes, përmbaruesit zbatuan urdhrin e lirimit të objekteve, duke nxjerrë disa prej familjeve jashtë, ndërsa operacioni pritet të vijojë edhe të enjten. Pamjet nga vendngjarja tregojnë përplasje verbale dhe emocione të forta mes banorëve dhe përmbaruesve.
Një prej banoreve, mes lotësh, deklaroi se “do të hidhem nga kati i dytë nëse tentojnë të më nxjerrin”, duke theksuar se nuk ka asnjë strehë tjetër. Të tjerë kanë kërcënuar me vetëflijim nëse vendimi nuk pezullohet, duke apeluar për ndërhyrjen e institucioneve shtetërore.
Banorët pretendojnë se janë trajtuar padrejtësisht, pasi për dekada kanë paguar detyrimet si qytetarë të rregullt. Ata kërkojnë që autoritetet të ndërhyjnë për të gjetur një zgjidhje humane për 32 familjet që tashmë rrezikojnë të mbeten pa strehë.

















