Dumani nga Brukseli: “Kemi marrë kërcënime nga politika dhe krimi”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

24 nentor 2025

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë një vizite zyrtare në Bruksel në Qendrën Europiane të Politikave, ka folur për sfidat me të cilat është përballur institucioni që nga krijimi i tij gjashtë vite më parë. Ai theksoi se, pavarësisht vështirësive, SPAK është shndërruar në një institucion model të reformës në drejtësi, i ngritur mbi parimet e pavarësisë, profesionalizmit, qëndrueshmërisë institucionale, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe besimit publik.

Dumani u ndal veçanërisht te presionet e shumta që institucioni ka hasur gjatë viteve:
“Vështirësitë kanë qenë të shumta. Në dhjetor mbushim 6 vjet dhe sfida kryesore në fillim ishte organizimi i institucioneve. Një tjetër vështirësi ishte presioni i madh i publikut, që kërkonte rezultate dhe e shihte SPAK-un si shpresën për të luftuar pandëshkueshmërinë,” u shpreh ai.

Dumani theksoi se, krahas pritshmërive të larta, kapacitetet reale të institucionit në fillim ishin të kufizuara. Ai përmendi gjithashtu menaxhimin e presioneve dhe kërcënimeve të ardhura nga politika, media dhe sidomos krimi i organizuar, si një sfidë të vazhdueshme për prokurorët specialë.

Megjithatë, sipas tij, ekipi i SPAK-ut është profesionalisht i përgatitur dhe me përvojë të mjaftueshme për t’i përballuar të gjitha presionet, pavarësisht nga burimi i tyre.

“Secili prej prokurorëve ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar,” deklaroi Dumani.

Scroll to Top