Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
16 dhjetor 2025
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, gjatë fjalës së tij në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2025”, vuri në dukje se futbolli shqiptar po përjeton një moment historik zhvillimi dhe konsolidimi, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Kreu i FSHF-së theksoi sukseset e Kombëtares Shqiptare, e cila për herë të parë në histori u kualifikua në fazën play-off të Botërorit 2026. Ai përmendi gjithashtu organizimin e suksesshëm të eventeve madhore të UEFA-s në Shqipëri, përfshirë Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” dhe mbledhjen historike të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.
Duka nënvizoi mbështetjen konkrete për klubet shqiptare, me shpërndarjen e 3 milionë eurove që do të fillojë nga viti 2026 për kategorinë “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e Parë. Ai gjithashtu theksoi rritjen e ndjeshme të pjesëmarrjes në futboll, me 10% më shumë djem dhe 23.8% më shumë vajza, si dhe investimet në infrastrukturë dhe teknologji, përfshirë ndërtimin e 14 fushave të reja dhe sistemin VAR.
“Futbolli shqiptar nuk është vetëm lojë në fushë, por një shkollë disipline dhe karakteri për fëmijët tanë. Në vitin 2026 do të synojmë më lart dhe do të jemi më të guximshëm për të ndërtuar një të ardhme edhe më të fortë për futbollin shqiptar”, tha Duka.
Ai përfundoi fjalën e tij duke u zotuar për angazhim të vazhdueshëm në zhvillimin e futbollit dhe mbështetjen e gjeneratave të reja, duke e quajtur futbollin një forcë që bashkon dhe emocionon gjithë shqiptarët.

















