Drita e Gjilanit pranë historisë në Conference League, mposht 2-1 Differdange në ‘Fadil Vokrri’

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

22 gusht 2025

Drita e Gjilanit fitoi 2-1 kundër Differdange në aktin e parë play-off të Conference League, duke hedhur një hap me vlerë drejt kualifikimit.

Në një atmosferë elektrizuese në stadiumin “Fadil Vokrri”, Drita ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës së grupeve të Conference League, duke fituar 2-1 ndaj Differdange në ndeshjen e parë play-off.

Skuadra gjilanase e nisi ndeshjen në mënyrë agresive, duke krijuar raste të pastra me Dabiqaj dhe Manaj, por pa sukses. Megjithatë, në minutën e 30-të ishte pikërisht Albert Dabiqaj që gjeti golin e epërsisë pas asistit të Veton Tushës, duke ndezur festën në tribuna.

Pjesa e dytë solli reagimin e miqve. Në minutën e 65-të, Andreas Buch barazoi shifrat, duke rihapur sfidën. Por Drita nuk u dorëzua dhe dhjetë minuta nga fundi fitoi një penallti vendimtare, të cilën Besnik Krasniqi e shndërroi në gol me qetësi për rezultatin 2-1.

Minutat shtesë ishin të nxehta dhe me nervozizëm. Pas ndërhyrjes së VAR-it, Boris Mfoumou i Differdange u largua me karton të kuq për një faull të rëndë, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak.

Me këtë fitore, Drita udhëton në Luksemburg javën që vjen me një avantazh të çmuar dhe me ëndrrën e madhe për të siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve të një gare evropiane, diçka historike për kampionët në fuqi të Kosovës.

Scroll to Top