Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 dhjetor 2025
Kryebashkiaku mori kohën e tij për t’u njohur me aktet hetimore.
Këtë të premte, më 5 dhjetor, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion do të zhvillojë seancën e radhës paraprake për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Në seancën e fundit, tre ditë më parë, Veliaj ishte prezent dhe iu pranua kërkesa për t’u njohur me aktet hetimore. Ai ka deklaruar se nuk është njohur kurrë me përmbajtjen e dosjes penale, e cila përmban rreth 60 mijë faqe, duke theksuar se USB-ja e dorëzuar nga prokuroria nuk mund t’i jepet ligjërisht për shkak të rregullores së paraburgimit që ndalon përdorimin e pajisjeve elektronike. “Ky nuk është një kufizim i rastësishëm, por një pamundësi objektive që e bën formal çdo pretendim se dosja më është vënë në dispozicion”, ka thënë Veliaj më 2 dhjetor.
Kryebashkiaku ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij në gjykatë, duke e cilësuar vendosjen në kafaz para trupit gjykues si një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Veliaj ndodhet në paraburgim që nga 10 shkurti i këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.
Veliaj ka apeluar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar edhe nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e vendimeve të mëparshme të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, për shkelje të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim.
Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e sigurisë, ndërsa më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të Veliajt, duke e rikthyer atë në detyrën e kryebashkiakut të Tiranës.

















