Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 maj 2025
Bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erion Veliaj, Ajola Xoxa është paraqitur pak momente më parë në ambientet e SPAK.
Burime për BalkanWeb bëjnë të ditur se paraqitja e saj në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vjen pas një thirrjeje të veçantë nga SPAK. Xoxa do të merret në pyetje nga hetuesit.
Kujtojmë se Xoxa u paraqit në prokurori vetëm pak ditë më parë në kuadër të respektimit të masës së sigurisë caktuar ndaj saj, detyrim paraqitje.
Ajo mbërriti në SPAK rreth orës 10:45 dhe do të merret në pyetje nga Prokurorët e Posaçëm.
Ajola Xoxa është në hetim në dosjen e Erion Veliajt dhe ndaj saj GJKKO ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje.
Bashkëshortja e kryebashkiakut është në hetim për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Kujtojmë se pak ditë më parë, Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Ajola Xoxës, për rikthimin e celularit të sekuestruar.
Me vendim të GJKKO, me 6 dhjetor, SPAK mori autorizimin dhe kërkonte të kontrollonte telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

















