“Do bëjmë pastrimin e shtëpisë sonë”, Berisha bën premtime: Audit të tipit Elon Musk, do t’u kthejmë paratë shqiptarëve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

20 mars 2025

Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha premtoi se kur të vijë në pushtet do të bëjë një audit si të Elon Musk në mënyrë që t’u kthehen paratë e shqiptarëve.

Ndër të tjera kryedemokrati tha “Ne do të bëjmë pastrimin e shtëpisë tonë, do rendim pas çdo qindarke të vjedhur qytetarëve shqiptarë dhe do ua kthejmë atyre”.

Më tej ai citon fjalët e presidentit amerikan, Donald Trump, që thotë “Më i keqi është gënjeshtari”.

Këto ditë po lexoja një fjalë të presidentit Trump. Çfarë thoshte? Presidenti Trump thoshte më i keqi është gënjeshtari. Më i keqi se çdo njeri tjetër. Të rrëmben kohën dhe i numëronte me radhë të këqijat e gënjeshtarit.
Po në qoftë se e përfytyron në një moment këto 12 vite, këta janë piramida më e madhe e mashtrimit në histori pas Enver Hoxhës.

Ndaj dhe Libri i Zi, jo vetëm u paraqet shqiptarëve të zezat e këtij regjimi, por Libri i Zi paraqet para shqiptarëve potencialet e mëdha që ekzistojnë për PD-në, domosdoshmërinë e një auditi të tipit Elon Musk në mënyrë që t’u kthehen paratë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Dhe unë u garantoj se kjo do ndodhë.
Ndaj dhe në programin tonë, shtyllë kryesore krahas paketës së dhembshurisë, krahas Made in Albania, krahas Shqipërisë Madhështore, kemi përcaktuar pastrimin e shtëpisë tonë. Kjo është shtyllë themelore. Në qoftë se ne nuk bëjmë pastrimin e shtëpisë tonë, ne kemi mashtruar shqiptarët.

Scroll to Top