Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
08 janar 2026
Moti i ashpër dimëror ka përfshirë rajone të tëra të Europës, duke shkaktuar kaos në transportin ajror dhe rrugor. Në Holandë, për të dytën ditë radhazi, janë anuluar qindra fluturime, ndërsa në Paris është pezulluar përkohësisht qarkullimi i autobusëve për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe temperaturave nën zero.
Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit janë anuluar mbi 700 fluturime gjatë dy ditëve të fundit. Më shumë se 1.000 pasagjerë janë detyruar të kalojnë natën në aeroport, duke fjetur në dyshekë të përkohshëm. Autoritetet paralajmërojnë se kushtet e vështira atmosferike, të shoqëruara me erëra të forta, pritet të vijojnë edhe ditët në vazhdim. Ndërkohë, edhe transporti hekurudhor në Holandë është prekur nga vonesa dhe anulime.
Situata problematike është shënuar edhe në Francë. Në Paris, shërbimi urban i autobusëve u ndërpre përkohësisht në të gjithë qytetin, ndërsa u regjistruan pezullime edhe në linjat e tramvajeve, metrosë dhe trenave rajonalë. Fluturimet në aeroportet e kryeqytetit u reduktuan ndjeshëm. Në veri të Francës, përfshirë qytetin Lille, qarkullimi rrugor është vështirësuar, ndërsa në autostrada janë raportuar pengesa që shtrihen në rreth 1.650 kilometra. Si pasojë e aksidenteve rrugore, pesë persona kanë humbur jetën.
Ndërkohë, Gjermania pritet të përballet me një përkeqësim të mëtejshëm të motit. Stuhia e presionit të ulët e quajtur “Elli” pritet të sjellë reshje intensive bore dhe ngrica, veçanërisht në veri dhe lindje të vendit. Sipas shërbimit meteorologjik gjerman, temperaturat do të bien ndjeshëm, duke rritur rrezikun për probleme të tjera në qarkullim.

















