Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
20 janar 2026
Një aktivitet i fuqishëm diellor po i afrohet Tokës dhe pritet të sjellë aurora spektakolare në zona ku rrallëherë janë parë, gjatë mbrëmjes së së hënës dhe orëve të para të së martës. Përveç pamjeve mbresëlënëse në qiell, fenomeni mund të shkaktojë edhe ndërprerje në komunikimet satelitore dhe saktësinë e sistemeve GPS.
Qendra e Parashikimit të Motit Hapësinor (SWPC) e Shërbimit Kombëtar të Motit ka njoftuar se po monitoron një stuhi rrezatimi diellor të nivelit S4, nga pesë nivele gjithsej, e cilësuar si më e fuqishmja e regjistruar në më shumë se 20 vitet e fundit. Sipas SWPC, hera e fundit që u shënua një stuhi e këtij niveli ishte në tetor të vitit 2003.
Ekspertët sqarojnë se efektet kryesore të kësaj stuhie pritet të ndihen në hapësirë, aviacion dhe operacionet satelitore, ndërsa rreziku për publikun e gjerë mbetet i kufizuar. Megjithatë, astronautët në orbitën e ulët të Tokës dhe pasagjerët në fluturimet polare mund të përballen me ekspozim më të lartë ndaj rrezatimit.
SWPC ka vënë në dijeni institucionet kyçe, përfshirë NASA-n, linjat ajrore, Administratën Federale të Aviacionit dhe operatorët e rrjeteve energjetike, për të qenë të përgatitur ndaj ndikimeve të mundshme. Sipas parashikuesve, operatorët e satelitëve mund të ndërmarrin masa parandaluese për të shmangur dëmtimet teknike.
Paralelisht, një stuhi e fortë gjeomagnetike ka arritur Tokën, e shkaktuar nga një nxjerrje masive koronale (CME) – shpërthim plazme dhe fushe magnetike nga atmosfera e jashtme e Diellit. Ky fenomen është rezultat i një shpërthimi diellor të klasit X, më intensiv i mundshmi dhe i pari i madh për këtë vit.
Si pasojë, aurorat boreale dhe australe pritet të jenë të dukshme shumë më në jug se zakonisht. Sipas parashikimeve, dritat veriore mund të shihen në pjesë të mëdha të hemisferës veriore, përfshirë zona të SHBA-së që shtrihen deri në Alabama dhe Kaliforninë veriore, nëse kushtet atmosferike janë të favorshme.
Ekspertët këshillojnë vëzhguesit e interesuar të kërkojnë zona të errëta, me pamje të qartë nga veriu dhe larg ndotjes së dritës, ndërsa theksojnë se edhe nëse aurorat nuk duken qartë me sy të lirë, ato mund të kapen nga kamerat, përfshirë ato të telefonave celularë.
Sipas shkencëtarëve, aktiviteti i rritur diellor pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me mundësi për shpërthime të tjera të drejtuara nga Toka, duke e mbajtur motin hapësinor nën vëzhgim të vazhdueshëm.

















