Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
06 gusht 2025
Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) i Shteteve të Bashkuara planifikon që të anulojë fonde prej 500 milionë dollarësh për vaksinat me teknologjinë mRNA që janë duke u zhvilluar për t’iu kundërvënë viruseve si gripi dhe Covid-19.
Ky veprim do të prekë 22 projekte që janë duke u udhëhequr nga kompani të mëdha farmaceutike, përfshirë “Pfizer”-in dhe “Moderna”-n, për vaksina kundër gripit të shpezëve dhe viruseve të tjera, tha HHS-ja, raporton televizioni BBC.
Sekretari i Shëndetësisë, Robert F Kennedy Jr, skeptik i vaksinave, njoftoi se ai do t’i tërheqë këto fonde për shkak të pretendimeve se “teknologjia mRNA paraqet më shumë rreziqe se përfitime për këto viruse respiratore”.
Mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë e kanë kritikuar vënien në pikëpyetje nga Kennedy të sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave dhe pikëpamjet e tij ndaj politikave shëndetësore.
Zhvillimi i vaksinave me teknologji mRNA për shënjestrimin e sëmundjes Covid-19 ishte jetik në mbështetjen e ngadalësimit të pandemisë dhe shpëtimit të miliona jetëve, tha Peter Lurie, ish-zyrtar i Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve në ShBA.
Ai i tha televizionit BBC se ndryshimi i fondeve është “kthim i shpinës nga ShBA-ja ndaj njërës prej veglave më premtuese për ta luftuar pandeminë e ardhshme”.
Në një deklaratë, Kennedy Jr tha se ekipi i tij “e analizoi shkencën, dëgjoi ekspertë dhe veproi”. “Të dhënat tregojnë se këto vaksina dështojnë që të mbrojnë në mënyrë efikase kundër infeksioneve të traktit të sipërm respirator si Covid-i dhe gripi” – tha zyrtari i lartë amerikan.
Sipas tij, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore do t’i çojë këto fonde te “platformat më të sigurta dhe më të gjera të vaksinave që mbeten efikase edhe pasi viruset të kenë pësuar mutacion”.
Kennedy Jr gjithashtu pretendoi se vaksinat me teknologji mRNA mund të ndihmojnë në “inkurajimin e mutacioneve të reja dhe në të vërtetë mund t’i zgjatin pandemitë, pasi virusi vazhdimisht pëson mutacion për t’u shpëtuar efekteve mbrojtëse të vaksinës”.

















