Debati për Izraelin trondit Eurovisionin: Sot pritet vendimi final i Transmetuesve Kombëtar

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

04 dhjetor 2025

Organizatorët e Eurovisionit pritet të mblidhen sot në selinë e Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU) në Gjenevë për të diskutuar dhe, nëse është e nevojshme, për të votuar mbi pjesëmarrjen e Izraelit në Festivalin Evropian të Këngës 2026. Çështja ka shkaktuar tensione, pasi disa vende kanë paralajmëruar bojkot nëse Izraeli nuk përjashtohet, për shkak të luftës në Rripin e Gazës.

Takimi do të shqyrtojë edhe rregulla të reja që synojnë frenimin e ndikimit të qeverive dhe palëve të treta në promovimin e këngëve konkuruese, pas pretendimeve se Izraeli këtë vit ka përfituar nga promovimi i tepruar. Izraeli, i cili këtë vit u rendit i dyti, nuk i ka komentuar akuzat, duke theksuar se përballet shpesh me fushata shpifjesh.

Eksperti i Eurovisionit, Paul Jordan, e përshkroi situatën si “moment vendimtar” për festivalin. Transmetues publikë nga Sllovenia, Irlanda, Spanja dhe Holanda kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga gara e vitit 2026 në Austri, nëse Izraeli lejohet të marrë pjesë.

Kundërshtarët e pjesëmarrjes së Izraelit e lidhin qëndrimin e tyre me situatën humanitare në Gaza, ku sipas autoriteteve lokale numri i viktimave palestineze ka kaluar 70,000. Lufta nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1,200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.

EBU ka bërë të ditur se, nëse rregullat e reja nuk i bindin anëtarët për garantimin e neutralitetit të garës, atëherë do të zhvillohet votim për pjesëmarrjen e Izraelit.

Ministri gjerman i Shtetit për Kulturën, Wolfram Weimer, deklaroi për Reuters se Gjermania nuk duhet të marrë pjesë nëse Izraeli përjashtohet, duke theksuar se “Izraeli e ka vendin në ESC” dhe “nuk duhet të ketë Eurovision pa Izraelin”. Transmetuesi gjerman ARD nuk ka komentuar, ndërsa ai austriak ORF mbështet pjesëmarrjen e Izraelit.

Scroll to Top