Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
19 nentor 2025
Kanë kaluar rreth 8 vite që është larguar nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, por Gianni De Biasi tashmë është pjesë e rëndësishme e historisë së futbollit tonë.
Mbrëmjen e së dielës, Gianni De Biasi ishte i pranishëm në stadium për të ndjekur sfidën mes Shqipërisë dhe Anglisë, një ndeshje që ish-trajneri e cilësoi si të rëndësishme jo vetëm për përballjen me një rival të nivelit të lartë, por edhe për përgatitjen drejt play-off-it. Në një intervistë për Top Channel, ai theksoi se skuadra duhet të hyjë në ndeshjet e marsit me qetësi, por edhe me vetëbesim të plotë në forcën e grupit.
“Përballë Anglisë ishte një test i vlefshëm. Nuk duhet të bëhemi skllevër të presionit të play-off-it. Këto ndeshje duhet t’i marrim me qetësi, por me bindjen se kemi shumë forcë brenda ekipit”, tha De Biasi.
Ish-trajneri komentoi edhe largimin e tifozëve pas golit të parë të pësuar, duke e cilësuar si një sinjal që nuk i shkon për shtat ekipit kombëtar. “Atmosfera ishte fantastike, por vura re që pas golit të parë disa tifozë u larguan. Pikërisht në ato momente ekipi ka më shumë nevojë për mbështetje. Largimi para kohe tingëllon si mungesë respekti ndaj lojtarëve që po luftonin në fushë”, u shpreh ai.
Sa i përket kundërshtarit të mundshëm në play-off, De Biasi nuk e fshehu preferencën e tij. “Mund të përballemi me Skocinë, Sllovakinë, Republikën Çeke ose Poloninë. Personalisht do të doja Sllovakinë. I kam ndeshur më parë me Azerbajxhanin dhe besoj se Shqipëria ka mundësi reale ta fitojë atë duel”, tha ai.

















