Ç’po ndodh me përmbytjet në Shqipëri? Çako nga AKMC: Jemi në fazë menaxhimi, bilanci do bëhet në ditët në vijim

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

13 janar 2026

Për një pasqyrë më të plotë të bilancit të pasojave, masat e marra gjatë këtyre ditëve të vështira, por edhe mësimet e nxjerra për përmirësimin e përballimit të emergjencave në të ardhmen, drejtori i Agjencistë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako , bëri me dije se vendi ndodhet aktualisht në fazën e menaxhimit të situatës, ndërsa për lumin Seman, niveli i lartë i ujit ka shkaktuar çarje në argjinaturë, ku po punohet për të mbrojtur banorët.

“U bënë thuajse një javë që ka përmbytje, për shkak të reshjeve, duke bërë që të fryhen lumenjtë në vend. Qarqet më problematike janë Shkodra, Lezha dhe Fieri, ku ka ujë në toka bujqësore dhe në oborre të banesave të qytetarëve”, tha Çako.

Çako shtoi se bilanci i plotë i dëmeve do të bëhet në ditët në vijim, pas raportimeve nga bashkitë, dhe theksoi se Shqipëria mbetet një vend i ekspozuar ndaj përmbytjeve, pavarësisht investimeve të bëra në kanale dhe hidrovore.

Ai nënvizoi gjithashtu se të gjitha institucionet kanë funksionuar sipas protokolleve të Emergjencave Civile, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me parashikimet e motit, dhe shprehu optimizëm për përmirësimin e situatës gjatë 10 ditëve të ardhshme.

Scroll to Top