Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
22 qershor 2025
Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se në sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit janë përdorur avionët bombardues B-2 të Forcave Ajrore të SHBA-së.
B-2 Spirit është bombarduesi më modern dhe më i avancuar i Forcave Ajrore të SHBA-së.
Me dizajnin e tij si “krah fluturues”, ndërtimin me materiale kompozite dhe veshjen speciale që e bën të padukshëm për radarët, “B-2 sjell një fuqi shkatërruese të jashtëzakonshme në çdo cep të globit, brenda një kohe të shkurtër, duke kaluar përmes mbrojtjeve që dikur ishin të papërshkueshme,” thuhet në një dokument zyrtar të Forcave Ajrore.
Bombarduesi me katër motorë mund të pajiset me armë bërthamore ose konvencionale, drejtohet nga një ekuipazh prej dy personash, ka një kapacitet ngarkese prej 18 tonë dhe një rreze të pakufizuar veprimi nëse furnizohet me karburant në ajër.
CNN shkruan se “fluturimi i parë i B-2 u realizua në vitin 1989 dhe u përdor për herë të parë në luftë dhjetë vjet më vonë gjatë Operacionit “Allied Force” – ndërhyrja e udhëhequr nga NATO në krizën humanitare në Kosovë – duke fluturuar pa ndalesë nga baza e tyre në Missouri për të goditur objektiva serbe, sipas Forcave Ajrore.
Më vonë, ata realizuan misione edhe më të gjata për të goditur objektiva në Afganistan në tetor të vitit 2001 gjatë ditëve të para të Operacionit “Enduring Freedom”.
Së fundmi, B-2-tat kanë fluturuar nga baza e përbashkët amerikano-britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian për të sulmuar objektiva të Houthive në Jemen.
Në inventarin e Forcave Ajrore të SHBA-së ndodhen vetëm 20 njësi të B-2, të gjitha të bazuara në bazën ajrore Whiteman në Missouri.
Çdo njësi kushton rreth 2 miliardë dollarë sipas vlerësimeve aktuale