Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 dhjetor 2025
Ousmane Dembélé është shpallur lojtari më i mirë i vitit nga FIFA, në ceremoninë prestigjioze “The Best”. Pas fitimit të Topit të Artë, ylli francez i PSG-së, i cili këtë sezon ka fituar pothuajse çdo trofe të mundshëm, përfshirë sukseset në nivel klubesh, kurorëzoi një vit të jashtëzakonshëm edhe me çmimin më të lartë individual të FIFA-s, duke lënë pas Lamine Yamal dhe Kylian Mbappé.
Çmimi për trajnerin më të mirë të vitit i takoi Luis Enrique, ndërsa Gianluigi Donnarumma u shpall portieri më i mirë. Dominimi i PSG-së u reflektua edhe në formacionin e vitit, ku spikatën disa prej yjeve të klubit parisien, ndërsa mungesa e Raphinha-s u vu re, pavarësisht sezonit të shkëlqyer me Barcelonën.
Në futbollin e vajzave, Aitana Bonmatí u shpall futbollistja më e mirë e vitit, ndërsa Sarina Wiegman fitoi çmimin për trajneren më të mirë.
Gjatë ceremonisë u ndanë edhe çmime të tjera:
- Santiago Montiel fitoi çmimin “Puskas” për golin më të bukur në futbollin e meshkujve
- Lizbeth Ovalle u nderua me çmimin “Marta” për golin më të bukur në futbollin e vajzave
Ceremonia u hap në orën 18:00 dhe përfshiu shpalljen e formacioneve më të mira të vitit për meshkuj dhe femra, si dhe fjalimet e fituesve kryesorë, duke kulmuar me kurorëzimin e Dembélés si më i miri i vitit nga FIFA.





















