Taravari për kërkesën e Ahmetit për zgjedhje: Forcat do t’i masim në zgjedhjet lokale

Cili është paralajmërimi i Arben Taravarit për datën pas 11 Janarit?

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

09 janar 2026

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka njoftuar se pas datës 11 janar partia që ai drejton do të prezantojë një platformë të re politike për Shqiptarët. Deklarata u bë gjatë tubimit përmbyllës të fushatës për zgjedhjet e përsëritura lokale në Gostivar dhe Vrapçisht.

Taravari u shpreh i bindur në fitoren e kandidatëve të AKI-së, duke rikujtuar se edhe në zgjedhjet e rregullta lokale të muajit tetor ata kishin siguruar rezultat të thellë përballë kandidatëve të VLEN-it, por procesi u përsërit për shkak të mungesës së censuzit. Ai theksoi se AKI garon me të njëjtët kandidatë, ndërsa pala tjetër ka ndryshuar emrat në garë, përfshirë edhe ish-kryetarin e Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.

Në fjalimin e tij, Taravari kritikoi ashpër kundërshtarët politikë, duke përdorur termin “mutacion politik”, ndërsa theksoi se kandidatët e AKI-së janë të dëshmuar dhe të suksesshëm. Sipas tij, në Vrapçisht po shfaqen figura të lidhura me pushtetin qendror, të cilat nuk kanë lidhje reale me komunitetin lokal.

Duke folur për zhvillimet pas zgjedhjeve lokale, Taravari paralajmëroi se pas fitores do të nisë, sipas tij, një fazë e re politike, me fokus zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Ai theksoi se bashkë me Ali Ahmetin dhe partnerët politikë synojnë të sjellin atë që e cilësoi si “ndryshim të vërtetë”, në kundërshtim me atë që e quajti “ndryshim zhgënjimi”.

Në përmbyllje, Taravari konfirmoi se platforma e re politike e AKI-së, që pritet të prezantohet pas 11 janarit, do të synojë të adresojë në mënyrë konkrete nevojat dhe interesat e Shqiptarëve.

Scroll to Top