Chelsea “shokon” PSG-në, fiton Botërorin e klubeve

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

14 korrik 2025

Chelsea ka shokuar fituesin e Ligës së Kampionëve, Paris Saint-Germainin, për të triumfuar në Kupën e Botës për Klube.

Të dielën mbrëma në East Rutherford në New Jersey të SHBA-së, skuadra londineze e fitoi finalen e Botërorit të klubeve me rezultatin bindës, 3:0.

Sfida u vendos në pjesën e parë, ndërsa yll i Chelseat ishte Cole Palmer. Reprezentuesi anglez shënoi për 1:0 në minutën e 22-të. 23-vjeçari shënoi gol tjetër në minutën e 30-të.

Ndërkohë në minutën e 43-të, Palmeri asistoi për Joao Pedron që shënoi mjeshtërisht për 3:0.

Shifrat më nuk ndryshuan. Parisienët bënë përpjekje për t’u kthyer në lojë në pjesën e dytë. Rreshtuan rastet, por nuk e konkretizuan asnjë dhe kështu rezultati edhe në fund ishte 3:0.

Chelsea e ka fituar për herë të dytë Botërorin e klubeve. Për herë të parë e fitoi në vitin 2021, në formatin e vjetër.

Formati i ri, me plot 32 skuadra, është prezantuar këtë vit. Dhe po vlerësohet shumë i suksesshëm.

Parisi në finale të Ligës së Kampionëve kishte fituar 5:0 ndaj Interit. Skuadra e Luis Enriques shfaqi formë të lartë edhe në Botërorin në SHBA, por jo edhe në finale.

Scroll to Top