aktakuza e re ndaj thaqit sot mbahet konferenca mbi ecurine

Çfarë po ndodh me aktakuzën e dytë ndaj Thaçit?

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u bë sërish pjesë e kryetitujve të mediave, si pasojë e zhvillimeve të reja në Gjykatën Speciale. Pas ngritjes së aktakuzës së dytë kundër tij në Hagë, ai ka insistuar që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës. Por, pak hollësi ka dhënë se për çfarë saktësisht e ka fjalën.

Teksa rasti i parë gjyqësor kundër ish-udhëheqësit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po shkon drejt përfundimit në Hagë, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër tij – këtë herë për pengim të drejtësisë, duke kthyer gjithë vëmendjen mbi të dhe mbi deklarimet e tij.

Thaçi, ish-president i Kosovës, ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

“Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për  askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi në gjyq.

Për përmendjen e Kushtetutës nga Thaçi, njohës të drejtësisë kanë pak për të komentuar. Duke mos pasur qasje në aktakuzën e plotë ndaj tij, dhe duke mos dashur të futen në spekulime, ata presin që vetë Thaçi, ose avokati i tij mbrojtës, të japin më shumë hollësi kur të deklarohen rreth fajësisë për aktakuzën e dytë.

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të sqaruar deklaratat e klientit të tij.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në bazë të Kushtetutës, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, janë disa të drejta të të pandehurit në procedurë, për të cilat ai po mendon që nuk po i respektohen”.

“Nëse aktakuza nuk është e bazuar në ligj, atëherë pa dyshim që është shkelje e Kushtetutës, sepse Kushtetuta e mbron barazinë e palëve në procedurë, i ka disa garanci për të pandehurit, që aktakuzë mund të ngrihet vetëm kur ka bazë ligjore, kur ka dëshmi, kur ka argumente”.

Thaçi duhet të deklarohet rreth fajësisë në afat prej 30 ditësh. Aktakuza e dytë kundër tij u miratua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Miftaraj ka përsëritur thirrjet e vazhdueshme të IKD-së që gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale të ruajnë integritetin e procesit gjyqësor – të sigurojnë që dëshmitarët të mos kërcënohen, si dhe të ketë pasoja për ata që e bëjnë kërcënimin.

“Thuhet se që prej vitit 2023-2024, këta persona [Thaçi dhe të tjerë] kanë marrë pjesë në frikësim të dëshmitarëve, dhe arrestimet ndodhin në fund të vitit 2024. Në aspektin penal, është e pakuptueshme se si, pavarësisht që kanë pasur informata që një vit, nuk kanë marrë veprime, por po marrin në fund”.

Miftaraj e ka konsideruar shumë të rëndësishme që të ketë epilog procesi gjyqësor kryesor, dhe që të mos marrë vëmendje procedura e dytë.

“Pothuajse në fund të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, kur kanë mbetur edhe dy-tre muaj, të nisësh aktakuzë të re, në aspektin juridik, në aspektin logjik, nuk ka shumë kuptim”.

Lidhja e aktakuzave me zgjedhjet

Deklaratën e Thaçit, ku ai bën një lidhje mes aktakuzave dhe zgjedhjeve në Kosovë, Miftaraj e sheh si politike dhe shumë të përgjithshme.

Ndërkaq, hulumtuesi ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija, beson se ato as që do të merren parasysh nga trupi gjykues.

“Këto deklarata fare nuk kanë rëndësi për procedurat ligjore, pasi që zgjedhjet në Kosovë nuk i hyjnë në punë as mbrojtjes, dhe as Gjykatës, apo trupit gjykues në procedurat në të cilat ai ngarkohet”.

Thaçi, ish-drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, është në paraburgim në Holandë prej nëntorit të vitit 2020.

Scroll to Top