Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
13 janar 2026
Kryeministri Edi Rama deklaroi në një podkast se ka zhvilluar një bisedë me ministrin e Drejtësisë së Francës, gjatë së cilës ka theksuar se qeveria shqiptare do të ruajë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, por njëkohësisht do të angazhohet që ai të mos funksionojë në mënyrë të njëanshme.
Deklarata e kryeministrit është interpretuar si një sinjal politik mbi qëndrimin e mazhorancës ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Burime bëjnë me dije se qeveria ka hequr dorë nga plani fillestar për të kufizuar drejtpërdrejt kompetencat e SPAK-ut, duke u orientuar drejt një riorganizimi institucional që forcon rolin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).
Sipas informacioneve, pritet hartimi i një ligji të ri që rrit kompetencat e GJKKO-së, i shoqëruar me një dispozitë kalimtare që parashikon rinovimin e plotë të përbërjes së gjykatave kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel.
Në të njëjtën kohë, parashikohet edhe rritja e rolit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), i cili do të pajiset me kompetenca për të hetuar raste kur institucione të tjera, përfshirë SPAK-un, mund të kenë cenuar të drejtat ose pavarësinë e gjykatave përmes përgjimeve apo veprimeve të tjera procedurale.
Burime pranë procesit bëjnë me dije se edhe vetë GJKKO-ja do të nxitet të ndërmarrë ndryshime në përbërjen e saj, si pjesë e një procesi të gjerë ristrukturimi institucional.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm pritet të jetë ndryshimi i Kodit Penal. Sipas draftit që po diskutohet, vepra penale e “shpërdorimit të detyrës” do të hiqet, ndërsa veprimet që kryhen në bazë të raporteve të auditimit apo të Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk do të konsiderohen më vepra penale.
Nëse këto ndryshime miratohen, SPAK-u do të ketë ndjeshëm më pak hapësirë veprimi, duke u mbështetur vetëm në një numër të kufizuar nenesh të Kodit Penal dhe në procedurën penale për ushtrimin e kompetencave të tij.
















