Çështja e detit ende pezull, Hasani nesër vizitë në Greqi: Të hapur të punojmë për zgjidhje të drejta

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

02 qershor 2025

Teksa çështja e detit me Greqinë ka mbetur pezull, Ministri Igli Hasani nuk e përjashton mundësinë e zgjidhjes së kësaj mosmarrëveshje në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës. Në një intervistë për median greke “Ta Nea”, ai thotë se Shqipëria mbetet e përkushtuar për zgjedhjen e të gjitha çështjeve dypalëshe.

Një ditë para vizitës zyrtare në Greqi, ku do të takohet me homologun e tij Giorgos Gerapetritis, Ministrit i Jashtëm Igli Hasani në një intervistë për median greke “Ta nea”, konfirmon vullnetin e Shqipërisë për t’ju rikthyer “Marrëveshjes së detit”, përfshirë edhe mundësinë për ta çuar zgjidhjen e kësaj çështje në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës, sipas një dakordësie 5 vite më parë.

Ministri tha se janë të gatshëm të diskutojnë zgjidhje të drejta e të qëndrueshme për të dy vendet, teksa shtoi se është e mundur që të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në përputhje me normat ndërkombëtare.

“Ne marrim pjesë në këto diskutime me respekt të ndërsjellë me qëllim arritjen e zgjidhjeve të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetin rajonal nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv. Unë besoj se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në përputhje me normat ndërkombëtare, bazuar në lidhjet e qëndrueshme historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë”, ka deklaruar Hasani.

Çështja e kufirit detar me Greqinë vijon të mbetet pezull, në pritje të autorizimit nga Presidenti i Republikës për grupin negociator që do të përfaqësojë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë deklaratave për mediat, e vlerësoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë si një element kyç, së bashku me bashkëpunimin në fusha si energjia, tregtia dhe iniciativat rajonale.

“Shohim potencial të madh për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh,” u shpreh Hasani, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve me Greqinë si një partner i rëndësishëm për vendin.

Ai njoftoi gjithashtu se më 3 qershor do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Athinë, ku pritet të riafirmohet angazhimi për dialog konstruktiv mbi çështjet e hapura mes dy vendeve.

Scroll to Top