Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar se Kylian Mbappe mund të jetë në gjendje që të luajë në finalen e Intercontinental Cup javën e ardhshme, përkundër një lëndimi të pësuar së fundmi.
Mbappe u lëndua në ndeshjen që ‘Los Blancos’ e fituan me rezultat të ngushtë 3-2 në udhëtim ndaj Atalantas në Ligën e Kampionëve dhe u desh të zëvendësohej pas gjysmë ore lojë.
Në teori, Mbappe ishte thënë se do të mungojë për 10 ditë, por lëndimi i tij nuk është aq serioz dhe ata mund të ndërmarrin një rrezik me të, teksa kanë mbetur vetëm tetë ditë mes ndeshjes që do ta luajnë ndaj Pachucas ose Al-Ahly.
“Lëndimi i Kylian Mbappe nuk është serioz, ai nuk do të jetë aty nesër, por do të udhëtojë në Katar dhe atje do ta vlerësojmë”, ka thënë Ancelotti.
Mbappe ka pësuar lëndim muskulor në dy raste gjatë këtij sezoni dhe për këtë tekniku italian u pyet nëse ishte për shkak të kalendarit të ngarkuar të ndeshjeve.
“Është një gjë e vështirë. Gjatë javëve të fundit ai ka qenë këtu, duke pushuar, duke punuar, nuk e dimë”.
“Fatmirësisht, ai do të jetë jashtë për një periudhë të shkurtë dhe nuk mendoj se do të humbasë momentumin që ka fituar”, përfundoi ai.