Këtë të mërkurë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj, nis konsultimet me partitë politike në funksion të Dekretit, që do të miratojë për vendosjen përfundimtare të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
Sipas burimeve, mësohet se fillimisht Begaj do presë në takim kreun e PR, PBDNJ, PDIU, LZHK, ndërsa të enjten do të presë përfaqësues nga PL, ndersa bisedimet me dy partitë kryesore, PS dhe PD, kreu i Shtetit do t’i zhvilloje më 25 nëntor.
Për mediat, Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL) konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e kërkuar nga Kryetari i Shtetit, z. Bajram Bega, me partitë parlamentare, i cili do të zhvillohet sot, më datë 20 nëntor 2024, ora 12:30.
“Ky takim këshillimor ka për qëllim diskutimin mbi caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. PLL do të përfaqësohet nga Kryetari i Partisë, z. Shpëtim Axhami.
Ndër të tjera, PLL do të kërkojë që data e zgjedhjeve të caktohet në respekt të plotë të afateve kushtetuese dhe të shqyrtohet mundësia e shpalljes së saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me hapjen e listave“, theksoi Partia Lëvizja e Legalitetit.
Më herët është raportuar se zgjedhjet parlamentare mund të mbahen mes dy të dielat e para të majit, 4 ose 11 maj.
Gjithsesi këto janë thjesht supozime, pasi përcaktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë e Presidentit të Republikës, i cili pas konsultimeve me aktorët kryesorë politikë në vend, dekreton edhe datën e zgjedhjeve.
Nga praktikat e mëparshme, caktimi i datës së zgjedhjeve është bërë me dakordësinë e palëve, ku Presidenti konsultohet për dy data të mundshme, që i parashtrohen përfaqësuesve të partive politike.
Në deklaratat publike, Partia Demokratike nuk ka shprehur ndonjë datë të preferuar se kur mund të mbahen zgjedhjet, ndërsa kreu i saj, Sali Berisha ka deklaruar se zgjedhjet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur.
Përgjithësisht zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë mbajtur në muajt maj-qershor, me përjashtim të dy zgjedhjeve të para pluraliste që janë mbajtur në 31 mars 1991 dhe 22 mars 1992, dhe një rasti në 2005-ën, kur procesi u zhvillua në 3 korrik.

















