Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 qershor 2025
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali priti në takim kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, e cila po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Nataliya Kiselova ka deklaruar se mendojnë se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimore.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Elisa Spiropali priti sot në takim homologen bullgare Kiselova, ndërkohë në deklaratën e përbashkët u fokusuan në çështjet e marrëdhënieve mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera.
“Diskutuam për miqësinë tradicionale, historike dhe kulturore, midis vendeve dhe popujve tanë, e cila po fuqizohet në të mirë të njerëzve tanë dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë. Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë shumë të mira, të forta, të qëndrueshme dhe pa çështje të pazgjidhura mes nesh”, tha ajo.
Spiropali tha se vlerësojnë mbështetjen sipas saj të fortë të Bullgarisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe shtoi se “kemi bindjen se kjo mbështetje do të vijojë edhe për planin tonë ambicioz për përfundimin e negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade”.
“Shqipëria ka bërë thirrje për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit në familjen evropiane i cili është i rëndësishëm jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por edhe për vetë Bashkimin Evropian nëse mbajmë parasysh pasojat dhe implikimet e luftës Rusi-Ukrainë në Ballkanin Perëndimor dhe kontinentin evropian”, tha ajo.
Spiropali theksoi se Shqipëria dhe Bullgaria kanë bashkëpunuar dhe do të vijojnë të bashkëpunojnë si anëtare aktive të NATO-s, sipas saj në shërbim të paqes e sigurisë në rajon, Evropë e më gjerë.
“Të dy vendet tona do të vazhdojnë të mbështesin luftën e drejtë dhe sigurinë e Ukrainës, si pjesë e një kuadri më të gjerë të mbrojtjes evropiane dhe kontinentit tonë”, tha ndër të tjera ajo.