Bregu Perëndimor, Trump “garanci” vendeve arabe: Nuk do t’ia lëmë Izraelit!

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

25 shtator 2025

Presidenti amerikan Donald Trump, është zotuar para udhëheqësve arabë se Izraeli nuk do të lejohet të aneksojë Bregun Perëndimor të pushtuar prej tij.

Lajmin e përcjell rrjeti televiziv Al Arabiya, duke cituar burime që kanë njohuri për çështjen. Garancia, sipas medias në fjalë, u dha gjatë një takimi që kreu i Shtëpisë së Bardhë zhvilloj me liderë arabë dhe të Gjirit në kuadrin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Zyrtarët rajonalë kanë paralajmëruar vazhdimisht se çdo përpjekje për aneksimin e këtij territori do të kthehet në një shkëndijë për ta ndezur konfliktin edhe më shumë, duke vënë në të njëjtën kohë në rrezik marrëveshjet e normalizimit.

Qeveria e Izraelit, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, është zotuar vazhdimisht të parandalojë krijimin e një shteti palestinez dhe ka sinjalizuar qëllimin e saj për të zgjeruar kontrollin mbi territorin e pushtuar. Shtetet arabe dhe të Gjirit kanë ushtruar presion ndaj Uashingtonit – për të ndërhyrë, duke paralajmëruar se aneksimi mund të ngrijë Marrëveshjet e Abrahamit.

SHBA-ja, mbështetësja kryesore politike dhe ushtarake e Izraelit, shihet në këtë pikë si e vetmja palë e aftë për t’i dhënë fund luftës në Gaza, dhe vetë Trumpi shpesh i thekson marrëveshjet e ndërmjetësuara gjatë administratës së tij të parë, si një arritje diplomatike historike.

Spitalet në qytetin e Gazës thanë të mërkurën pasdite se kishin marrë trupat e më shumë se 60 personave të vrarë nga sulmet dhe të shtënat izraelite që nga mesnata.

Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi tha se një e treta e viktimave ishin rezultat i një sulmi izraelit ndaj një depoje që strehonte njerëz të zhvendosur pranë tregut Firas, dhe se midis tyre ishin gjashtë gra dhe nëntë fëmijë.

Gazetarët ndërkombëtarë, përfshirë ata të BBC-së, janë të bllokuar nga Izraeli që të hyjnë në Gaza në mënyrë të pavarur, kështu që është e vështirë të verifikohen raportet.

Por pamjet video nga vendi i ngjarjes tregonin njerëz që nxirrnin një trup të mbështjellë me një batanije nga rrënojat e një ndërtese të shkatërruar.

Mohammed Hajjaj, të afërmit e të cilit ishin midis të vdekurve, i tha agjencisë së lajmeve AFP se vendi u godit nga “bombardime të rënda” ndërsa njerëzit ishin në gjumë.

“Erdhëm dhe gjetëm fëmijë dhe gra të shqyer. Ishte një pamje e mjerueshme”, tha ai.

Scroll to Top