Braçe kërkon reformë të thellë të skemës së pensioneve: “Situata aktuale na bën me turp të gjithëve”

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

05 dhjetor 2025

Debati për projektligjin e marrëveshjes fiskale ka rikthyer vëmendjen te transparenca dhe sistemi tatimor në vend, ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në një intervistë për Top Story, ka vënë në qendër të kritikës gjendjen e skemës së pensioneve, të cilën e cilësoi “të turpshme” për çdo aktor politik.

Braçe deklaroi se, pavarësisht se buxheti i shtetit është hartuar në mënyrë të balancuar, me investime që tejkalojnë deficitin dhe me suficit primar, nevojitet një reformë e thellë dhe e menjëhershme në pensione.

“Buxheti është i ndërtuar mirë. Investimet janë më të mëdha se deficit dhe jemi në suficit primar, çka tregon se qytetarëve nuk po u shtohet barrë e re. Por çështja e pensioneve është ajo që na bën me turp të gjithëve. Duhet një balancë dhe një reformë e plotë,” u shpreh ai.

Sipas Braçes, reforma duhet të ndërmerret në vitin e parë të mandatit pas zgjedhjeve, duke theksuar se qeveria ka qëndruar prej shumë vitesh në pushtet, ndërsa problematikat e skemës kanë mbetur të pazgjidhura.

Sa i përket paketës fiskale, Braçe kërkoi rishikimin e ligjit të “paqes fiskale” dhe një transformim të thellë të TVSH-së, duke theksuar se skema aktuale dëmton fermerët. Ai solli shembullin e bujqve që, nëse shesin prodhimet te bizneset e vogla ose në tregjet publike, nuk kompensohen, duke i detyruar t’i dorëzojnë produktet vetëm te grumbulluesit.

“Fitues mund të jenë të gjithë që regjistrohen në tatime, por ligji i TVSH-së duhet përmbysur në tërësi,” shtoi ai, duke kërkuar një qasje më të drejtë dhe më funksionale për sektorin bujqësor dhe ekonominë në tërësi.

Scroll to Top