Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
18 dhjetor 2025
Mes shumë diskutimesh për Botërorin e vitit 2026, përfshirë zgjerimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse në 48 dhe organizimin e turneut në tre shtete paralelisht – SHBA, Kanada dhe Meksikë – një nga temat më të diskutuara janë çmimet e biletave, të cilat tifozët i konsiderojnë disa fish më të shtrenjta se në Botërorin e Katarit.
Shqipëria ende nuk e ka siguruar pjesëmarrjen në finalet e turneut, pasi më 26 mars do të luajë ndeshjen e parë të Play-Off-it kundër Polonisë. Sidoqoftë, shorti i hedhur më 5 dhjetor për fazën e grupeve e ka vendosur vendin tonë si Play-Off-i B, në grup me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.
Nëse Shqipëria arrin të kualifikohet, çmimet e biletave për të ndjekur të treja ndeshjet e grupit sipas kategorive zyrtare të FIFA-s janë:
- Ndeshja ndaj Tunizës (Monterrey, Meksikë): Kategoria e Parë 450 dollarë, Kategoria e Dytë 380 dollarë
- Ndeshja ndaj Holandës (Houston, SHBA): Kategoria e Parë 600 dollarë, Kategoria e Dytë 430 dollarë
- Ndeshja ndaj Japonisë (Dallas, SHBA): Kategoria e Parë 500 dollarë, Kategoria e Dytë 400 dollarë
Pra, për të ndjekur Kuqezinjtë në të tre ndeshjet e grupit, një tifoz do të paguajë 1,550 dollarë në variantin e Kategorisë së Parë dhe 1,210 dollarë në variantin më të lirë, duke përjashtuar kostot e udhëtimit, hotelit dhe parkingut.
Çështja e pjesëmarrjes së tifozëve shqiptarë varet edhe nga politika e hyrjes në SHBA, ndërsa Play-Off-i kundër Polonisë mbetet hap i domosdoshëm për realizimin e ëndrrës për të qenë prezent në Botërorin 2026.




















