Koha e parashikuar e leximit: 4 minuta
08 prill 2025
Një javë tjetër e mbushur me planifikime ushtarake dhe diplomaci do të nxjerrë sërish në pah përçarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj evropianë sa i përket politikës ndaj Ukrainës, me dy takime kyçe të njëpasnjëshme në selinë e NATO-s në Bruksel.
SHBA do të mungojë në takimin e parë dhe pritet të mos ketë ndonjë rol të rëndësishëm as në të dytin, pasi vendet evropiane synojnë të ecin përpara me planet e tyre.
Takimi i parë, më 10 prill, do të mbledhë Ministrat e Mbrojtjes nga siç njihet “koalicioni i vendeve të gatshme për veprim”, që përfshin edhe vende jashtë Evropës si Kanadaja dhe Australia.
Ky grup prej 30 shtetesh u krijua në fillim të marsit pas një përplasjeje të ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë. Një nga objektivat kryesore të këtij koalicioni është formimi i një force ushtarake që do të dislokohej në Ukrainë pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje.
Por një problem i madh për krijimin e kësaj force është mungesa e mbështetjes nga SHBA. Shumë vende, përfshirë Britaninë, kanë deklaruar se kjo do të ishte e mundur vetëm me një “garanci nga SHBA” – që nënkupton mbështetje ajrore, logjistikë dhe inteligjencë.
Deri më tani, nuk ka sinjale të qarta nga SHBA-ja që do ta marrë këtë rol.
Ish-komandanti i NATO-s në Evropë, Philip Breedlove, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk besonte se ekziston vullneti politik në Uashington për ta bërë këtë – por theksoi se Evropa duhet të ecë përpara me planet e saj gjithsesi.
“Nëse z. Putin sheh përtej gardhit një koalicion të madh të të gatshmëve, që përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, ai do të mendohet dy herë”, tha ai.
Nuk është ende e qartë nëse Gjermania do të marrë pjesë në ndonjë prani ushtarake në Ukrainë, pasi vendi ndodhet në një periudhë tranzicioni politik pas zgjedhjeve të shkurtit dhe është në proces formimi të një qeverie të re.
Britania dhe Franca po udhëheqin koalicionin, duke premtuar përkrahje ushtarake për misionin, dhe do të jenë mikpritës të takimit të 10 prillit.
“Unë mendoj se Evropa mund ta bëjë këtë vetë”, tha Breedlove.
“Ushtria ruse është e rraskapitur. Ajo ka nevojë urgjente për një periudhë paqeje që të riorganizohet dhe të ripajiset. Do të ishte dhurata më e madhe që mund t’ia jepnim Rusisë, po ta lejojmë të rindërtohet”, shtoi ai.
Deklaratat e tij përputhen me ato të ish-komandantit të ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i cili muajin e kaluar i tha REL-it se forcat evropiane kishin “gra dhe burra të pajisur mirë” që mund ta përballonin detyrën pa përfshirjen e SHBA-së.
Megjithatë, përfshirja e SHBA-së mbetet ende një pikë kyçe në agjendë.
“Evropianët duhet ta bindin Trumpin që ta mbështesë këtë ide”, tha Jamie Shea, ish-zyrtar i lartë në NATO.
“Është e qartë që kjo do të jetë një forcë e vogël dhe jo në vijën e parë të frontit… Por pyetja e madhe është: a do të dislokohet ndonjëherë kjo forcë nëse nuk ka paqe dhe lufta vazhdon”, shtoi ai.
Një ditë pas bisedimeve të koalicionit të të gatshmëve, përçarjet transatlantike do të dalin sërish në pah në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i krijuar në vitin 2022 nga ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.