Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
03 shkurt 2026
Hetimi kongresional për lidhjet dhe veprimtarinë e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein ka hyrë në një fazë të re, pasi ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, kanë konfirmuar se do të paraqiten për të dëshmuar para Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
Vendimi i tyre vjen pak ditë përpara një vote të paralajmëruar në Kongres, e cila synonte shpalljen e Clintonëve në përbuzje penale për refuzimin e mëparshëm për t’u paraqitur para komitetit.
Lajmi u bë publik mbrëmjen e së hënës nga zëvendësshefi i stafit të Bill Clinton, Angel Ureña, i cili përmes një postimi në rrjetin social X njoftoi se çifti Clinton është i gatshëm të dëshmojë, duke theksuar se ky hap synon të vendosë një precedent për raste të ngjashme.
Sipas tyre, Clintonët kanë dorëzuar më herët deklarata nën betim dhe kanë vënë në dispozicion informacionin e kufizuar që disponojnë në lidhje me Epstein. Ata kanë akuzuar drejtuesit e komitetit se po e shfrytëzojnë hetimin për qëllime politike dhe për sulme ndaj kundërshtarëve.
Komiteti i Mbikëqyrjes, i kontrolluar nga republikanët, kishte miratuar muajin e kaluar një rezolutë për shpalljen e Clintonëve në përbuzje të Kongresit, me mbështetjen edhe të disa ligjvënësve demokratë.
Bill Clinton ka pranuar se ka njohur Epstein dhe se ka udhëtuar me avionin e tij privat gjatë viteve 2002–2003, por ka mohuar çdo dijeni mbi aktivitetet e paligjshme të tij. Ai ka deklaruar se i ka ndërprerë kontaktet me Epstein më shumë se 20 vite më parë dhe nuk është përmendur asnjëherë si i akuzuar nga viktimat e financierit të ndjerë.
Dëshmia e Clintonëve pritet të jetë një ngjarje e rrallë, pasi do të shënojë herën e parë që një ish-president amerikan dëshmon para një komiteti të Kongresit që nga viti 1983, kur një veprim të tillë e kishte ndërmarrë Gerald Ford.

















