Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
09 janar 2026
Pas reshjeve intensive dhe përmbytjeve të ditëve të fundit, niveli i ujit në lumin Vjosë ka rënë dukshëm, duke ulur rrezikun për zonat përreth.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video nga terreni, që tregon situatën aktuale në lumin dhe zonat përreth.
Kryeministri njoftoi se ka nisur procesi i verifikimit të dëmeve në të gjithë rajonin, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë banorëve dhe për të reaguar ndaj çdo situate emergjence.
“Niveli i ujit në lumin Vjosë ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Ka filluar procesi i verifikimit të dëmeve në të gjithë zonën, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri dhe në shërbim të plotë të të gjithë banorëve për çdo nevojë apo emergjencë.”, shkruan Rama.
Kujtojmë se moti i keq që përfshiu vendin ditët e fundit solli pasoja të rënda, me përmbytje, evakuime masive dhe humbje jete. Një 54-vjeçar u gjet i pajetë në një kanal kullimi në Durrës, pasi u mor nga rrjedha e ujit.
Ndryshe, rreth 400 banorë janë evakuuar në Durrës, pasi urdhra evakuimi janë dhënë për Sukthin, Katundin e Ri, por edhe Novoselën (Vlorë) dhe Ferras.

















