Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
12 shtator 2025
Një ministër i pafajshëm për një sistem fajtor…
Më në fund drejtësia shqiptare gjeti një ministër që nuk e besoi as vetë kur u bë ministër. Besfort Lamallari, djaloshi i Dibrës me diplomë Oxfordi dhe një CV të lyer me organizata ndërkombëtare, u zgjodh të udhëheqë një nga ministritë më të ndotura politikisht. Dhe kjo është një ironi më vete: një akademik i qetë që futet në një lojë ku rregullat nuk i përcakton ligji, por shefi që e emëroi.
Lamallari prezantohet si produkt i perëndimit, por në Tiranë etiketa e tij është shumë më tokësore: “çerri i Fatmir Xhafajt”.
Nuk ka rëndësi çfarë ka lexuar në Oxford, as çfarë ka shkruar për kriminologjinë, rëndësi ka se kush e solli te dera e Kryeministrisë. Dhe kështu, për një moment, drejtësia duket sikur po shpëton nga librat e huaj dhe shpresat e reja, por kur sheh më afër, kupton se është po ajo lojë e vjetër: njerëz që vijnë me aureolë për t’u përdorur si dekor.
Lamallari ndoshta nuk e kishte menduar kurrë këtë skenar. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse duket më shumë si surprizë e sistemit sesa si reformator i tij. Një ministër i Drejtësisë që nuk e besoi vetë, nuk ka pse ta besojnë qytetarët. Ai është thjesht një tjetër figurë që ngrihet në qiell me lavde, për t’u përplasur në tokë nga realiteti i politikës shqiptare.