Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
05 janar 2026
Që pas zgjedhjes së Klodian Brahos në krye të SPAK-ut, opozita ka reflektuar një ndryshim të dukshëm qëndrimi ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ky ndryshim u vu re edhe gjatë paraqitjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për zbatimin e masës “detyrim paraqitje”.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh kritik ndaj ish-drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, ndërsa vlerësoi drejtuesin e ri, Klodian Braho, duke theksuar se mbështetja e opozitës do të varet nga respektimi i ligjit.
Ai deklaroi se qëndrimi i tij ndaj Prokurorisë së Posaçme, Gjykatës Speciale, Policisë dhe BKH-së do të jetë i njëjtë për çdo punonjës që vepron në përputhje me ligjin. Sipas Berishës, opozita nuk kërkon favore, por vetëm zbatim të ligjit, duke shtuar se çdo drejtues që e respekton atë do të ketë vlerësimin dhe mbështetjen e plotë të opozitës.
Gjatë deklaratës së tij, lideri i opozitës ashpërsoi kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilën e akuzoi se po vepron në funksion të Partisë Socialiste. Ai tha se kërkesën për shqyrtimin e masës në Kushtetuese e kishte depozituar prej kohësh, por sipas tij, institucioni po shmang transparencën dhe po merr vendime në mënyrë joformale.
Berisha pretendoi se Gjykata Kushtetuese nuk arriti të merrte vendimin e dëshiruar në seancë plenare dhe për këtë arsye, sipas tij, nuk e shpalli vendimin, duke e krahasuar funksionimin e saj me atë të një strukture partiake.

















