Berisha: Gjermania e Franca, kundër zgjerimit. Shkak, aktiviteti antidemokratik i Ramës

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

15 prill 2025

Sali Berisha deklaroi se Konferenca Ndërqeveritare BE-Shqipëri në Luksemburg jo vetëm që ka qenë e planifikuar 4 muaj më parë, por kryedemokrati foli me shqetësim edhe për një pezullim të procesit të integrimit nga ana e 2 prej vendeve të unionit.

“Qeveria e re gjermane të dalë me një deklaratë, me të cilën kthehet procesi i integrimit, mbetet stand by. Nuk mund të ketë zgjerim tjetër pa reformimin e BE-së. Dhe këtë e ka në sintoni me qeverinë franceze. Kur këta dy faktor bëhen bashkë, të siguroj që ai mur bëhet i pakalueshëm.”

Pas pasaportës europiane të Edi Ramës sheh mashtrimin e radhës së kryeministrit, duke e akuzuar se përmes bandave e krimit po tenton të marrë mandatin e katërt qeverisës.

“Gjushi ditë e natë rri në takime për të nxjerrë këtë e atë kandidat. Por ju garantoj se krimi elektoral do të shpallet krim me 20 vite dënim! T’i mbledhin bashkë me krimet e tjera, nuk iu dalin dy jetë për dënimet.”

Arrestimin e një demokrati nga Lushnja për blerje votash në këmbim të 500 eurove e cilësoi stimulim, duk paralajmëruar përjashtimin e tij nga rradhët e PD-së si agjent i SHISH-it.

“Ky është si rasti i Belerit, këto janë stimulime, përjashtohet në mënyrë përfundimtare nga PD si agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe i policisë kriminale, si njeri të rekrutuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu.“

Pranon se drejtësia ka nevojë për një reformim të thellë, por prerazi hedh poshtë çdo ndryshim kushtetues për mandatin e Kryeprokurorit të SPAK-ut.

“Ku i ke dënimet deri sot?! S’ke asnjë se bën pazare.”

Edhe në këtë dalje para medias, Berisha komentoi fushatën e socialistëve, teksa hodhi akuza për luks të shfrenuar ndaj ministrave të qeverisë.

“Lubia e lubitë e tjera me aksesorë që janë minimumi 1200 euro më e vogla. Rama vë orën me diamante.”

Pasditen e së Hënës kryedemokrati Sali Berisha prezantoi kandidatët për deputetë të koalicionit opozitar të qarkut të Durrësit. Ai bëri thirrje që vota e durrsakëve të mos u shkojë partive të reja pasi sipas tij janë paterica të kryeministrit Rama.

“Ftoj qytetarët e Durrësit të mos harrojnë se votat jo për PD-në, votat jo për koalicionin e saj, janë vota për Edi Rramën. Çdo votë për patericat e Edi Ramës, është votë për Edi Ramën, është votë kundër rotacionit. Koha fton shqiptarët të votojnë ndryshimin, të votojnë rotacionin, të votojnë fitoren. Rrofshi ju, rroftë Durrësi, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!”

Lideri i opozitës kërkoi që këto ditë të fushatës demokratët t’i shndërrojnë në betejë për realizimin e misionit për rotacionin politik.

Scroll to Top