Berisha akuzon qeverinë: “Kanalet e ujit të bllokuara dhe rrugët e shtrenjta shemben pas pak muajsh”

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

26 nentor 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë këtë të mërkurë, më 26 nëntor, në një konferencë për mediat për të folur mbi dëmet e shkaktuara nga moti i keq në të gjithë vendin.

“Moti dhe korrupsioni në sinergji, në bashkëveprim, kanë pasur këtë javë efekte shkatërrimtare mbi pronat e qindra dhe mijëra qytetarëve shqiptarë në të katër anët e vendit.”, tha Berisha.

Ai theksoi se dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën publike: ”Dëmet janë kolosale jo vetëm në infrastrukturën, të cilat mediat i kanë paraqitur gjerësisht, por janë mijëra kokë bagëti, janë qindra hektarë sera, janë infrastrukturë e vogël e fshatrave, të rrënuara si asnjëherë në mote më parë.”

Berisha u ndal gjithashtu tek rrugët e reja, të cilat, pavarësisht se janë të sapoinauguruara, janë shembur pas vetëm disa muajsh. Ai përmendi rrugët Qukës-Qafë Pllocë, Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit dhe Korçë-Ersekë, duke theksuar se skarpatet e tyre janë lënë pa përforcime.

“Investimet janë bërë në të katër anët e vendit për sistemin e kanalizimeve, por kanalet janë të mbyllura, të mbushura dhe nuk ka kush t’i hapë, sepse paratë e parashikuara për mirëmbajtje vetëm vidhen. Pamjet e rrugëve të sapoinaguruara si Qukës-Qafë Pllocë, Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit apo Korçë-Ersekë, janë bërë virale pasi u shembën pak kohë pas inaugurimit,” tha Berisha.

Ai vuri në dukje se skarpatet më problematike të rrugëve të ndërtuara para 13-15 vitesh, si Rruga e Kombit, autostrada Levan-Tepelenë apo Tepelenë-Gjirokastër, nuk kanë pësuar dëmtime, ndonëse janë ndërtuar me kosto shumë më të ulët, duke nënvizuar se investimet e mëdha aktuale janë shpenzime të paarsyeshme.

Berisha theksoi se përforcimi i skarpateve është esencial për sigurinë e rrugëve, duke kujtuar shembullin e rrugës Tepelenë-Gjirokastër, ku përforcimet e gjeologjikisht më të pasigurta kanë kërkuar dy vite punë, ndërkohë që rrugët e reja, pavarësisht shpenzimeve të mëdha, rrëshqasin dhe dëmtohen.

Kryetari i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama për udhëtime të motivuara nga interesa personale dhe njoftoi se Partia Demokratike dhe grupi i saj parlamentar do të ndërmarrin çdo iniciativë për mbështetjen e menjëhershme të të prekurve dhe për zhdëmtimin e plotë të pasojave të përmbytjeve, duke theksuar se shumë prej tyre mund të ishin parandaluar me mirëmbajtjen e duhur të infrastrukturës.

Scroll to Top