Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta
09 dhjetor 2025
Mbrëmjen e së mërkurës në “Da Luz” do të zhvillohet sfida mes Benficës dhe Napolit, e cila do të sjellë për herë të parë në Ligën e Kampionëve duelin mes dy prej trajnerëve më të suksesshëm të dekadave të fundit, Jose Mourinho dhe Antonio Conte.
Edhe pse janë përballur shtatë herë në Serie A, Premier League dhe FA Cup, me bilanc në favor të Contes (4 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje), dy trajnerët nuk janë ndeshur kurrë në arenën evropiane. Por përtej statistikave, sfida mbart peshën e një historie të gjatë tensionesh dhe përplasjesh verbale mes tyre.
Fillimi i konfliktit: “poshtërimi” në Stamford Bridge
Rivaliteti nisi më 2016, kur Chelsea e Contes mposhti Manchester United të Mourinhos 4–0. Në fund të ndeshjes, Mourinho iu afrua italianit dhe i pëshpëriti: “Nuk festohet kështu për një 4–0, është poshtërim”. Conte reagoi publikisht: “Kam qenë futbollist, di si duhet të sillem. Nuk tallem me askënd.”
Luftë verbale dhe akuza të ndërsjella
Tensionet u rritën në muajt në vijim. Gjatë një ndeshjeje në FA Cup në mars 2017, pas daljes me karton të kuq të Herrera-s, të dy trajnerët u përplasën pranë arbitrit të katërt. Pas sfidës, Mourinho akuzoi Conten, ndërsa ky i fundit u përgjigj: “Nga Manchester United morëm vetëm shkelma.”
Rivaliteti u ndez edhe më shumë me thumbimet për rënien e flokëve, me Mourinhon që deklaroi: “Nuk kam ndërmend të humbas flokët për Conten.”
Kulmi i armiqësisë
Në janar 2018 përplasja arriti pikën më të ulët. Mourinho tha se nuk kishte nevojë të sillej si “palaço” në pankinë për të treguar pasion, ndërsa Conte e akuzoi për “demencë”, duke e korrigjuar më vonë në “amnezi”. Luzitani u kundërpërgjigj: “Unë nuk do të skualifikohem kurrë për skandal bastesh.”
Paqja në Wembley
Rivaliteti u shua në finalen e FA Cup më 19 maj 2018, ku Chelsea i Contes fitoi 1–0 ndaj United. Para dhe pas ndeshjes, të dy trajnerët shkëmbyen përqafim dhe shtrëngim duarsh, duke mbyllur zyrtarisht konfliktin.
Tani, vite më vonë, Mourinho dhe Conte rikthehen ballë për ballë në Ligën e Kampionëve, duke e bërë sfidën Benfica–Napoli një nga më të pritat e javës në arenën europiane.

















