Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta
17 qershor 2025
Në përfundim të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj bëri të qartë qëndrimin e tij në lidhje me deklaratën e përbashkët të miratuar.
Gjatë një deklarate për media, ai konfirmoi se Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina refuzuan ta nënshkruajnë dokumentin, ndërsa të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse e mbështetën atë.
Ai gjithashtu tha se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës janë të padrejta.
“Bashkëpunimi rajonal për ne është i rëndësishëm, sepse çdo zgjidhje në mënyrë paqësore dhe bashkëpunuese nëpërmjet dialogut do të sjellë zhvillim, do të sjellë prosperitet, do të sjellë stabilitet dhe paqe për të gjithë rajonin tonë. Në fakt, ne sot patëm një qëndrim, ishte deklaratë e Tiranës. Patjetër që u votua nga shumica e vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. U refuzua nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, të cilët kanë të drejtën e tyre për të mos e miratuar deklaratën e përbashkët. Ne ramë dakord që çështja e sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, një çështje që unë e kam deklaruar në të gjitha daljet e mia publike, është një çështje e padrejtë, një çështje që duhej zgjidhur shumë kohë më parë, dhe nesër është shumë vonë, sepse sanksionet nuk janë vendosur për politikanët kosovarë, sanksionet janë vendosur për qytetarët e Kosovës, për të pasur shërbime të mira publike.”, tha Begaj.