BE nis hetim ndaj Grok-ut të Elon Musk për gjenerimin e deepfake-ve seksuale

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

26 janar 2026

Bashkimi Evropian ka hapur një hetim zyrtar ndaj chatbot-it të inteligjencës artificiale Grok, i zhvilluar nga kompania e Elon Musk, pas akuzave se mjeti mundëson krijimin e imazheve seksuale të rreme (deepfake) të grave dhe fëmijëve.

Hetimi vjen pas zbulimeve se përdoruesit e Grok-ut mund të seksualizonin imazhe përmes komandave të thjeshta me tekst, si “vishe me bikini” apo “hiqja rrobat”, duke ngritur shqetësime serioze për abuzim dhe shkelje të ligjit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi ashpër duke deklaruar se BE-ja nuk do të tolerojë praktika të tilla. “Në Evropë nuk do të lejojmë zhveshjen dixhitale të grave dhe fëmijëve. Dëmi i shkaktuar nga imazhet e paligjshme është real dhe i papranueshëm”, u shpreh ajo.

Komisionerja evropiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, sqaroi se hetimi synon të përcaktojë nëse platforma X (ish-Twitter) ka përmbushur detyrimet e saj ligjore sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), i cili synon të kontrollojë përhapjen e përmbajtjes së paligjshme në internet. Ajo theksoi se të drejtat e grave dhe fëmijëve nuk duhet të jenë “dëm kolateral” i shërbimeve dixhitale.

Sipas një studimi të publikuar nga Qendra për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH), Grok ka gjeneruar rreth tre milionë imazhe të seksualizuara të grave dhe të miturve brenda pak ditësh, duke shtuar presionin mbi autoritetet evropiane për të vepruar.

Brukseli njoftoi gjithashtu se hetimi i ri do të zgjerojë një procedurë ekzistuese ndaj platformës X, e cila është nën hetim që nga dhjetori 2023 për përhapjen e përmbajtjes së paligjshme dhe manipulimin e informacionit.

Në dhjetor, BE-ja i vendosi X një gjobë prej 120 milionë eurosh për shkelje të rregullave të transparencës së DSA-së, përfshirë përdorimin mashtrues të “shenjes blu” dhe mosdhënien e aksesit në të dhëna publike për studiuesit.

Autoritetet evropiane kanë theksuar se do të zbatojnë rregullat e tyre rregullatore pavarësisht presionit nga SHBA-ja, në një kontekst tensionesh më të gjera mes BE-së dhe administratës amerikane për çështje si tregtia, Ukraina dhe Groenlanda.

“Artikulli është marrë nga burim i huaj”

Scroll to Top