BE miraton marrëveshjen për ndërprerjen e importit të gazit rus, afati i fundit nëntori i 2027-ës

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

03 dhjetor 2025

BE-ja synon të ndërpresë importet e gazit rus deri në fund të vitit 2027, planifikon përdorimin e fondeve të ngrira ruse për Ukrainën

Bashkimi Europian ka vendosur t’i japë fund të gjitha importeve të gazit nga Rusia deri në fund të vitit 2027, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel midis përfaqësuesve të qeverive të 27 shteteve anëtare dhe Parlamentit Europian.

Sipas planit të miratuar, për kontratat afatshkurtra të nënshkruara para 17 qershorit 2025, ndalimi do të hyjë në fuqi nga 25 prilli 2026 për gazin natyror të lëngshëm dhe nga 17 qershori 2026 për gazin e transportuar përmes tubacioneve. Për kontratat afatgjata me gaz të lëngshëm, ndalimi do të fillojë më 1 janar 2027, ndërsa për gazin e tubacioneve, importet do të ndërpriten nga 30 shtatori 2027, por jo më vonë se 1 nëntori 2027, duke u bazuar në përmbushjen e objektivave të stokut të gazit.

Që nga tetori, Rusia mbante rreth 12% të importeve të gazit të BE-së, krahasuar me 45% para pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022. Hungaria, Franca dhe Belgjika vazhdojnë të importojnë gaz rus.

Ndërkohë, sipas katër burimeve të Reuters, Komisioni Evropian planifikon të paraqesë brenda javës një propozim për përdorimin e fondeve të ngrira ruse për të financuar Ukrainën. Opsionet që po shqyrtohen përfshijnë huamarrje të përbashkët nga tregjet financiare ndërkombëtare ose një kombinim të dy mundësive.

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord në tetor për të mbuluar “nevojat urgjente financiare” të Ukrainës gjatë dy viteve të ardhshme, por nuk kanë miratuar ende përdorimin e 140 miliardë eurove fonde të ngrira ruse, kryesisht të mbajtura në depozitën belge Euroclear, për të siguruar kredi për Kievin, për shkak të shqetësimeve ligjore.

Sipas propozimit, Ukraina do të shlyente kredinë vetëm në rast se Rusia do të ofronte kompensim për dëmet e luftës. Teksti pritet të miratohet të martën, ndërsa zëdhënësi i Komisionit Evropian deklaroi se komisionerët “do të shqyrtojnë opsionet” dhe më pas do të miratojnë propozimin.

Scroll to Top