BE e gatshme të shfrytëzojë 185 miliardë euro të Rusisë për të shpëtuar Ukrainën

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

11 dhjetor 2025

Bashkimi Evropian po përshpejton procesin për të vendosur mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse, me synimin për të siguruar një paketë të madhe financiare për Ukrainën. Financial Times raporton se Komisioni Evropian pritet të propozojë këtë javë heqjen e rregullit që detyron rinovimin çdo gjashtë muaj të ngrirjes së fondeve të Bankës Qendrore të Rusisë të bllokuara në Evropë.

Për të shmangur veton e mundshme të Hungarisë dhe Sllovakisë, Brukseli po shqyrton përdorimin e nenit 122 të traktateve të BE-së, një klauzolë e parashikuar për situata emergjente ekonomike, e cila lejon miratimin e vendimeve me shumicë të kualifikuar, dhe jo unanimisht.

Ky plan ka ngjallur reagime, sidomos nga kryeministri belg Bart De Wever, i cili paralajmëroi se do të ankohet nëse BE e miraton vendimin në këtë mënyrë. Ai argumenton se përdorimi i aseteve të ngrira përbën një masë sanksionuese që kërkon unanimitet.

Nga ana tjetër, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, ka ndryshuar qasje duke e mbështetur propozimin e Komisionit. Sipas saj, zgjidhja e propozuar është “më e afërta me parimet ndërkombëtare” dhe trajton një situatë “jashtëzakonisht të veçantë”, pa cenuar pronësinë ruse mbi asetet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po punon për të siguruar garanci për Belgjikën, e cila ka shqetësime të mëdha për asetet prej 185 miliardë eurosh të bllokuara në Euroclear. Objektivi i BE-së është që në samitin e Këshillit Evropian më 18 dhjetor të marrë miratimin për përdorimin e këtyre fondeve, duke emetuar obligacione që do të mundësojnë huamarrje deri në 185 miliardë euro për rindërtimin e Ukrainës.

Burime gjermane konfirmojnë se shumica e nevojshme për miratim tashmë ekziston. Ky hap shihet jo vetëm si mesazh kundër Moskës pas katër vjetësh luftë, por edhe si sinjal ndaj Uashingtonit, veçanërisht në kontekstin e planeve të diskutimeve ruso-amerikane ku është përmendur përdorimi i aseteve të ngrira.

Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se po finalizohen detajet ligjore dhe teknike:
“Jemi shumë afër një zgjidhjeje dhe synojmë ta miratojmë të paktën me shumicë të kualifikuar.”

Scroll to Top