BE dhe Trump përballë një vendimi të madh në Davos

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

20 janar 2026

Fjala që qarkullon sot në korridoret e Brukselit dhe pika ku pritet të nisë është Davosi është de-eskalimi.

Bashkimi Evropian po përpiqet të ulë tensionin me Donald Trump lidhur me tarifat doganore, përpara se të kalojë në masa kundërpërgjigjeje ndaj kërcënimeve amerikane.

Strategjia e BE-së është e qartë: Fillimisht dialog, pastaj vendime. Për këtë arsye, Davosi, ku zhvillohet forumi vjetor i liderëve më të fuqishëm të botës, shihet si terren neutral dhe ideal për t’i kërkuar presidentit amerikan të tërhiqet nga përshkallëzimi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas mbledhjes së Kolegjit të Komisionerëve në Strasburg, do të kthehet sot në Zvicër.

Ajo tashmë ka zhvilluar takime me një delegacion dypartiak të Kongresit amerikan dhe do të presë mbërritjen e Trump, e parashikuar për nesër.

Takimi ballë për ballë ende nuk është zyrtar, pasi Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar ftesën e Brukselit, por kontaktet me Uashingtonin kanë qenë intensive, edhe përmes komisionerit për Tregtinë, Maroš Šefčovič.

Von der Leyen synon të luajë kartën e përballjes direkte, në një ambient neutral. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të tentojë një ndërmjetësim të drejtpërdrejtë në Davos.

“Duam të përpiqemi ta zgjidhim këtë problem së bashku dhe qeveria amerikane e di se ne mund të reagojmë”, ka deklaruar Merz.

Koha, megjithatë, është e kufizuar. Të enjten do të mblidhet në mënyrë të jashtëzakonshme Këshilli Evropian dhe liderët e BE-së duhet të marrin një vendim: si dhe nëse do të reagojnë ndaj tarifave të rritura me 10% për vendet që kanë dërguar trupa në Groenlandë. Përpara çdo kundërmase, Brukseli dëshiron të shfrytëzojë maksimalisht rrugën diplomatike.

Por mbi BE-në rëndon një rrezik serioz: Përçarja e brendshme. Çdo përgjigje ndaj SHBA-ve mund të jetë efektive vetëm nëse është e unifikuar.

Ky është edhe misioni i presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të ruajë kohezionin dhe të bëjë të qartë se kush qëndron me linjën e BE-së dhe kush anon nga Uashingtoni. Samiti i së enjtes do të shërbejë edhe për këtë test politik.

Nëse Trump nuk tërhiqet, BE-ja ka gati mjetet për kundërpërgjigje. Kundërtarifat me vlerë 93 miliardë euro nuk kërkojnë një vendim të ri: Ato ishin vetëm të pezulluara dhe, më 6 shkurt, në mungesë të një shtyrjeje, do të hyjnë automatikisht në fuqi. Ky do të ishte hapi i parë drejt një lufte të re tregtare, e cila do të rrezikonte edhe marrëveshjen e arritur verën e kaluar.

Sipas Komisionit Evropian, tarifat do të ishin “të dëmshme për të gjithë”, duke goditur drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët.

“Evropa duhet të jetë e fortë dhe të tregojë se është gati të përdorë të gjitha instrumentet që ka”, ka deklaruar ministri francez i Ekonomisë, Roland Lescure, duke iu referuar qartë “Instrumentit anti-koercizues”. Edhe komisioneri Valdis Dombrovskis ka paralajmëruar se “asgjë nuk është e përjashtuar”, shkruan TvKlan.

Davosi, pra, nuk është thjesht një forum. Është ndalesa e fundit për të shmangur një përplasje të hapur tregtare mes BE-së dhe SHBA-ve.

Scroll to Top