BBC kërkon t’i kërkojë falje Trump-it për të shmangur padinë 1 miliard dollarëshe; nis kërkimi për drejtorin e ri pas dorëheqjes së Tim Davie-t

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

13 nentor 2025

BBC po përgatitet t’i kërkojë falje ish-presidentit amerikan Donald Trump, për të shmangur një padi prej 1 miliard dollarësh që ai ka paralajmëruar kundër transmetuesit publik britanik. Falja pritet t’i dërgohet personalisht Trump-it, pasi BBC pranoi se një episod i programit “Panorama” kishte lënë përshtypjen e gabuar se ai kishte bërë një “thirrje të drejtpërdrejtë për dhunë” në fjalimin e mbajtur përpara trazirave në Kapitol më 6 janar 2021. Më vonë u zbulua se dy pjesë të ndryshme të fjalimit ishin ndërthurur gabimisht gjatë transmetimit.

Sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti BBC-në “një makinë propagande të majtë të financuar nga taksapaguesit britanikë”, duke e cilësuar rastin si “një shembull klasik të lajmeve të rreme”. Sipas saj, këshilltari ligjor i jashtëm i Trump-it ka nisur tashmë procedurat ligjore, ndërsa BBC ka afat deri nesër për t’iu përgjigjur letrës zyrtare që përmend “dëmin e madh financiar dhe të reputacionit” të shkaktuar nga transmetimi.

Kryetari i BBC-së, Samir Shah, deklaroi se korporata “do të donte të kërkonte falje për gabimin e bërë”, duke shtuar se situata aktuale përbën një nga krizat më të mëdha që institucioni ka përjetuar në vitet e fundit. Ai konfirmoi gjithashtu se ka nisur procesi për gjetjen e pasardhësit të drejtorit të përgjithshëm Tim Davie, i cili dha dorëheqjen pas incidentit.

Sipas burimeve brenda BBC-së, procesi i përzgjedhjes së drejtuesit të ri mund të zgjasë disa muaj, ndërsa kandidati i ri pritet të fillojë detyrën në shtator, nëse vjen nga jashtë organizatës. Ndër kandidatët e përfolur janë disa figura të njohura të medias britanike dhe ndërkombëtare, përfshirë Jay Hunt (Apple), Charlotte Moore, Alexandra Mahon (Channel 4), Jane Turton (All3Media), George Osborne, Carolyn McCall (ITV) dhe Kevin Bakhurst (RTÉ).

Nëse njëra nga gratë e përmendura do të emërohet, ajo do të bëhet gruaja e parë që drejton BBC-në në 103 vjet histori.

Ndërkohë, bordi i BBC-së po shqyrton mundësinë e krijimit të postit të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për të ndarë ngarkesën e drejtimit. Ish-kryetari i ITV, Sir Peter Bazalgette, tha se një strukturë e tillë mund të ndihmonte në menaxhimin më efikas të krizave të tilla, ndërsa Jonathan Munro, zëvendësdrejtor i BBC News, është ndër ata që kanë mbështetur këtë ide.

Ekspertët e medias vlerësojnë se BBC përballet me një sfidë të madhe për të rindërtuar besimin e publikut dhe për të garantuar integritetin editorial në një kohë kur përballon presione të forta politike dhe ligjore si brenda ashtu edhe jashtë Mbretërisë së Bashkuar.

Scroll to Top