BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë

Koha e parashikuar e leximit: 3 minuta

10 prill 2025

BBC i ka kushtuar një artikull trafikut të kokainës dhe operacionet e saj nga Mafia shqiptare, ku ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, kryesisht për shkak të rrugëve të përshtatshme të trafikut nëpër vend.

Thuhet se tani ajo kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Ka pasur raste kur César, i cili punon për mafinë shqiptare, ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë që ka kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.

“Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: “Duam të dërgojmë 500 kilogramë drogë. Nëse nuk pranon, ata do të të vrasin”.

César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i “Latin Kings” (Mbretërve latinë), bandë kriminale droge në Ekuador. Ai u rekrutua nga një zyrtar i korruptuar i policisë në departamentin antidrogë për të punuar për mafinë shqiptare, një nga rrjetet më aktive dhe më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.

Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Pavarësisht se Ekuadori nuk e prodhon drogën, 70 për qind e kokainës në botë tani rrjedh nëpër portet e tij, thotë presidenti ekuadorian Daniel Noboa.

Ajo kontrabandohet në vend nga Kolumbia dhe Peruja fqinje, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Policia ka njoftuar se ka sekuestruar një sasi rekorde droge të paligjshme vitin e kaluar, pjesa më e madhe e saj e llojit kokainë, dhe kjo tregon se eksportet totale kanë shënuar rritje.

Pasojat janë vdekjeprurëse: Në janarin e 2025-s u regjistruan 781 vrasje, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës në vitet e fundit. Shumë prej tyre kishin lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës.

BBC ka folur me personat të cilët kanë njohuri për zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të kuptojë se pse kjo krizë po përkeqësohet dhe se si po e nxit rritja e konsumit evropian të kokainës.

César, 36 vjeç, filloi të punonte me kartele kur ishte 14 vjeç, duke përmendur si faktor mundësitë e pakta të punës.

“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që do t’i zgjidhte problemet”, shpjegon ai. “I njihja rojat e portit, shoferët e transportit, mbikëqyrësit e kamerave të qytetit”.

Ai u jep këtyre personave ryshfet për të lehtësuar procesin e kontrabandës së drogës në portet e Ekuadorit ose për të mbyllur një sy.

Scroll to Top