Bardhi takim me përfaqësuesen e SHBA: Shqipëria po zhytet në regres demokratik

Koha e parashikuar e leximit: 2 minuta

25 nentor 2025

Kreu i Grupit Parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, ku ka theksuar edhe një herë se Shtetet e Bashkuara mbeten “aleati më i çmuar i Shqipërisë”. Bardhi ka ndarë pamje nga takimi, duke zbuluar edhe temat kryesore të diskutimit.

Ai ka bërë të ditur se ka informuar diplomaten amerikane mbi qëndrimin e opozitës lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe për, siç e cilësoi ai, “regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”.

Sipas Bardhit, në 12 vitet e fundit vendi është qeverisur nga një kabinet që, sipas tij, ka pasur lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar dhe grupet e trafikut të drogës.

“Shqipëria vazhdon të mbahet peng nga një qeveri që ushqehet me para të pista dhe korrupsion. Rruga e vetme për të ecur përpara është ndërtimi i një qeverie që del nga zgjedhje të lira e të ndershme dhe që lufton realisht krimin e organizuar,” u shpreh ai.

Bardhi nënvizoi se partneriteti me SHBA-në mbetet themeli i orientimit strategjik të Shqipërisë dhe se angazhimi për forcimin e demokracisë duhet të jetë prioritet kombëtar.

Scroll to Top